Ndërlidhjet

Ekonomia e paligjshme “avullon” një buxhet të tërë



Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre se, ekonomia joformale ka marrë përmasa të mëdha në tregun kosovar dhe ky fenomen ekonomik, ngadalë po i largon nga tregu bizneset formale.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, konstaton se afër 40 për qind e tregut kosovar mbulohet nga ekonomia joformale.

Prania e kësaj ekonomie në treg, thotë ai, sjell shumë efekte negative, siç është zvogëlimi i të hyrave buxhetore, çmimet e ulëta në treg për produkte dhe shërbime të ngjashme, si dhe kontribuon në rritjen e shkallës së papunësisë.

“Të gjitha ato firma, ato subjekte që e fusin mallin pa ngarkesa fiskale, janë konkurrente në treg, në krahasim me ato, të cilat i paguajnë të gjitha tatimet”.

“Arsyeja është, se çmimi kushtues i atyre që i paguajnë tatimet, do të jetë më i lartë sesa firmat që e fusin mallin pa e paguar tatimin. Në këtë rast përfiton vetëm konsumatori”
, thotë Limani.

Musa Limani thotë se për ta luftuar këtë fenomen, duhet të ekzistojnë mekanizma shtetërorë dhe funksionimi i duhur i Gjyqësorit.

“Shteti duhet të ketë një organ kontrollues, i cili do të bëjë revizionin dhe kontrollin e të gjithë atyre që u ikin obligimeve ligjore. Në këtë drejtim, unë mendoj se jemi shumë larg”.

“Kjo për arsye se ka forma të ndryshme ku njerëzit, subjektet ekonomike, personat juridikë dhe fizikë, por edhe individët dhe qytetarët, shumë lehtë mund t’u ikin tatimeve dhe nuk mund të përcillen
”, thekson Limani.

Në anën tjetër, institucionet qeveritare kanë përgatitur Planin e veprimit për luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë.

Në këtë plan, përveç ministrive kompetente për luftimin e kësaj dukurie, është e përfshirë edhe Policia e Kosovës.

Brahim Sadriu, zyrtar për informim në këtë institucion, tregon se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në bazë të këtij plani, kanë për detyrë sigurimin e inspektorëve të ndryshëm gjatë kontrollimit të kompanive të dyshuara për futjen e mallit të tyre në Kosovë.

“Në kuadër të Policisë së Kosovës, ekzistojnë sektorë të veçantë të krimeve ekonomike, të cilët janë të inkuadruar direkt në hetimin e rasteve që kanë të bëjnë me ekonomi joformale, siç janë rastet e shpëlarjeve të parave, apo bankënotave të falsifikuara”.

“Roli ynë është në aspektin e sigurimit, pra, do të thotë jemi të inkuadruar dhe punojmë vazhdimisht në luftimin e kësaj dukurie
”, shpjegon Sadriu.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Grupi punues për hartimin e Planit të veprimit për luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë, pati deklaruar se në fillim të vitit 2010, të gjitha institucionet e Kosovës do ta kenë prioritet luftimin e të gjitha formave të ekonomisë jo ligjore dhe krimit të organizuar - veprim ky që, deri më tani, nuk është vërejtur në praktikë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG