Ndërlidhjet

Partitë kryesore kundër zgjedhjeve të parakohshme


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë

Partitë kryesore politike në Maqedoni thonë se nuk po përgatiten për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Lidhja Socialdemokrate e opozitës, thonë se nuk është koha për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pro zgjedhjeve para afatit të rregullt janë deklaruar Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re në opozitë, të cilat theksojnë se pushteti po ndërmerr veprime antishqiptare dhe me anë të zgjedhjeve, do të evitohej politika negative qeveritare.


Partitë më të mëdha politike thonë se nuk janë duke bërë përgatitje për zgjedhje të parakohshme. Pushteti dhe opozita i përforcojnë aktivitetet e tyre në terren, por të dyja palët thonë se bëhet fjalë për aktivitete të rregullta partiake.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO - DPMNE-së, Martin Protuger, në një intervistë për mediat në Maqedoni, ka thënë se aktivitetet në disa qytete të vendit janë praktikë e rregullt e partisë qeveritare dhe nuk bëhen me qëllim të përgatitjes së terrenit për zgjedhje të parakohshme.

Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Gordan Georgiev, thotë se lëvizjet e VMRO-DPMNE-së nuk duhet perceptuar si paralajmërim për zgjedhje.

“Mendoj se ky është skenar i Gruevskit, por unë nuk pres zgjedhje të parakohshme, të paktën jo deri në qershor. Deri në këtë muaj duhet të bëhen përpjekje serioze që të arrihet zgjidhje për çështjen e emrit me Greqinë”,
ka thotë Georgiev.

Zëdhënësja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti, thotë se partia e saj nuk është për zgjedhje të parakohshme, pasi ato do t’i dëmtonin proceset integruese.

“Në periudhën që vjen, Qeveria është e obliguar që të realizojë vetëm një zgjedhje dhe kjo është zgjedhja e emrit, si kompromis me Republikën e Greqisë”.

“Asnjë çështje që lidhet me zgjedhjet, nuk është pjesë e aktualitetit politik. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet kundër zgjedhjeve të parakohshme për sa kohë që procesi integrues mbetet i bllokuar
”, thekson Mehmeti.

Ndërkohë, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, shprehet se duhet të ketë zgjedhje shumë shpejt. Sipas tij, partia që drejton ai gëzon besim të madh në elektorat, ndërsa këtë besim tashmë e ka humbur BDI-ja në pushtet.

“Sa i përket BDI–së, që thotë se do të dalë në terren, unë porosis se aty është vendi i zënë, nuk ka karrige bosh në terren, aty është ulur PDSH-ja një kohë shumë të gjatë, ka punuar shumë në terren. Mendoj se janë në pozitë të mjerueshme, por sinqerisht mendoj se ata e meritojnë këtë pozitë të mjerueshme, të cilën e kanë”
, shprehet Thaçi.

Edhe Besim Dogani, deputet i Demokracisë së Re, pohon se partia e tij është për zgjedhje të parakohshme

“Jemi për zgjedhje të parakohshme, meqë nuk jemi të kënaqur me veprimin e partive politike në pushtet. Me veprimet dhe vendimet e tyre, jo vetëm që e fusin Maqedoninë në një situatë të bllokuar, por me ato veprime dhe vendime, në një masë të madhe shqiptarët anashkalohen dhe trajtohen si qytetarë të rendit të dytë”.

“Shprehim gatishmëri për zgjedhje të parakohshme, me tendencë që t’i rregullojmë të gjitha çështjet që e pengojnë popullatën
”, pohon Dogani.

Pavarësisht se edhe kryeministri Nikolla Gruevski ka deklaruar se Qeveria nuk përgatitet për zgjedhje të parakohshme, partitë politike të opozitës kanë formuar bllokun politik, i cili do ta kundërshtojë politikën e Qeverisë.
XS
SM
MD
LG