Ndërlidhjet

logo-print

Njerëzit jetojnë më gjatë, por jo më mirë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Departamenti për popullsinë në Kombet e Bashkuara, thotë se deri në vitin 2050, një nga pesë njerëzit në botë do të jetë mbi 30 vjeç. Por, të jesh i moshuar, nënkupton të kesh më shumë vështirësi në shumë pjesë të botës, ku stigmatizimi dhe diskriminimi ndaj të moshuarve është bërë i zakonshëm. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se derisa komunitetet nuk fillojnë t’i shohin anëtarët e moshuar si pjesë produktive e shoqërisë, të moshuarit do të përballen me izolim dhe neglizhencë më të madhe.


Jetëgjatësia e njeriut është arritje e shoqërisë moderne, që i pasqyron të arriturat në shkencë, në politikën sociale dhe zhvillimin socio-ekonomik.

Por, shtimi i moshës nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Përkundrazi, sa më shumë që njerëzit plaken, mirëqenia dhe përkrahja e tyre nga shoqëria po venitet.

Zbulimet e fundit të Kombeve të Bashkuara sugjerojnë se vendet në zhvillim janë fare pak të përgatitura për numrin e madh të njerëzve që jetojnë më gjatë, nuk kanë qendra të përkujdesjes dhe punonjës të trajnuar për nevojat e pleqve.

Në një forum të organizuar nga OKB-ja në Nju-Jork, ky ishte problemi qendror. Në konferencë, folësit theksuan se në shumë vende të botës, njerëzit mbi 60 vjeç kanë shumë pak mbrojtje legale dhe sociale dhe pothuaj aspak pushtet politik.

Kreg Mohiber, nga zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së, i tha Radios Evropa e Lirë se të moshuarit në një numër vendesh anëtare të OKB-së janë viktima të shkeljeve të shumëfishta të të drejtave të njeriut.

“Në shumë vende të botës, indikatorët e racizmit dhe indikatorët tradicionalë të abuzimeve gjinore janë në rënie, por indikatorët e abuzimeve mbi baza të moshës në fakt po rriten. Përse? Ku qëndron problemi? Mendoj se çështja qëndron te pushteti”, tha Mohiber.

Sha Zukang, drejtuese e departamentit të ekonomisë dhe çështjeve sociale në OKB, tha se të gjithë e ndajnë mendimin se Kombet e Bashkuara duhet të fokusohen në të drejtat e njeriut të të moshuarve, por shtoi se problemet dallojnë nga vendi në vend.

Ajo theksoi se Kina, me numrin më të madh të të moshuarve mbi 60 vjeç, është shembull i veçantë. Sha i tha Radios Evropa e Lirë se politika kineze “një familje një fëmijë”,po krijon ndryshime kolosale në familjet kineze.

“Një pasojë tjetër e plakjes së shoqërisë është ndryshimi i tmerrshëm në strukturën familjare. Me më pak fëmijë, familjet nuk mund të mbështesin më anëtarët e moshuar të familjes si më parë”, theksoi Sha.

Në vitin 2007, një raport i Bankës Botërore nxori në shesh tendenca të ngjashme në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik.

Raporti tha se Rusia po kalon një tranzicion masiv demografik të përcjellë me shkallën e ulët të lindjeve dhe plakjen e shpejtë të popullsisë.

Për dy dekada, popullsia ruse pritet të zvogëlohet për 12 për qind, apo mbi 17 milionë, ndërsa deri në vitin 2025, çdo i pesti rus do të ketë mbi 65 vjet.

Xhosh Kolet, nënkryetar i organizatës amerikane AARP, e cila angazhohet për të drejtat e personave mbi 50 vjeç, i tha Radios Evropa e Lirë se në shumë vende, të moshuarit vuajnë nga izolimi dhe shkalla e ulët e integrimit në shoqëri.

“Stigmatizimi dhe diskriminimi i të moshuarve, të personave me aftësi të kufizuar, të pastrehëve dhe shumë të tjerëve, ende po lulëzon dhe e pengon përfshirjen e tyre të vërtetë sociale”.

“Përveç kësaj, qeverisja e keqe edhe më shumë i përjetëson barrierat, të cilat të moshuarve ua mohojnë qasjen në shërbimet jetike, si kujdesi shëndetësor, dhe ua cenon të drejtat themelore njerëzore”,
shprehet Kolet.

Pavarësisht dy nismave të Kombeve të Bashkuara, Samitit Botëror për Zhvillimin Shoqëror në Kopenhagë në vitin 1995, dhe Asamblesë Botërore mbi Plakjen e popullsisë në Madrid, 2002, nuk ka një traktat gjithëpërfshirës apo organ mbikëqyrës për t’i mbrojtur të drejtat e të moshuarve në planin ndërkombëtar.(V.P)
XS
SM
MD
LG