Ndërlidhjet

logo-print

Serbët, më të gatshëm për bashkëpunim


Ura kryesore në Mitrovicë

Ura kryesore në Mitrovicë

Bazuar në Planin e Ahtisarit dhe procesin e decentralizimit të pushtetit, Zyra Civile Ndërkombëtare në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, kanë nisur përgatitjet për formimin e komunës së Mitrovicës së veriut. Konstituimi i pushteteve legale në komunat veriore me shumicë serbe, thuhet se është pjesë edhe e strategjisë për integrimin e veriut.


Zyra Civile Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ka emëruar ekipin përgatitor për komunën e re të Mitrovicës veriore.

Formimi i kësaj komune, si pjesë e qytetit të Mitrovicës, parashihet edhe me Planin e Ahtisarit dhe është pjesë e strategjisë së ICO-së dhe Qeverisë për integrimin e veriut.

Zyrtarë vendorë dhe ata ndërkombëtarë thonë se janë të kënaqur me interesimin e serbëve lokal për të marrë pjesë në ekipin përgatitor.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, shpreson në bashkëpunimin e serbëve lokal, por edhe të Beogradit, për zbatimin e projekteve për Mitrovicën dhe veriun, në përgjithësi.

“Ne jemi optimistë. Njerëzit kanë filluar të besojnë në të mirat që sjell procesi i decentralizimit. Tani fillon puna në ndërtimin e infrastrukturës për Mitrovicën veriore”.

“Presim edhe bashkëpunimin e Beogradit për nismat që do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës
”, thotë zëdhënësi Mekgafi.

Ndonëse përfaqësues politikë serbë nga pjesa veriore e kanë kundërshtuar ashpër zbatimin e strategjive të ICO-së dhe Qeverisë për veriun, duke insistuar që atje të mbeten në jetë strukturat paralele, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, shpreh besim se te popullata serbe po rritet interesimi për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Sipas Feratit, qeverisja paralele, ishte një improvizim që ka ndikuar në stagnimin e jetesës së këtyre qytetarëve.

“Vërehet një interesim i shtuar i qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet, me donatorët, sepse është një konstatim se ata nuk jetojnë mirë”.

“Planifikimi i instalimit të komunës së re, pastaj bashkëpunimi me të gjithë qytetarët, që në një të ardhme të afërt të kemi zgjedhje të lira edhe në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçani, që atje të krijojmë struktura legale dhe legjitime, është pjesë jo vetëm e strategjisë, por është edhe kërkesë e qytetarëve”
, thekson Ferati.

Pas konstituimit të ekipeve përgatitore, të cilat do t’i definojnë përgjegjësitë e komunës në bazë të decentralizimit, do të pasojë edhe shpallja e datës së zgjedhjeve për Mitrovicën e veriut, si dhe tri komunat tjera me shumicë serbe në veri, në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan.

Konstituimi i pushteteve legale në këto komuna, parashihet të jetë pjesa kryesore e strategjisë për integrimin e veriut dhe mënjanimin e strukturave paralele të ngritura nga Serbia.

Këto të fundit kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zbatimin e kësaj strategjie, duke kërkuar edhe mbështetjen e Beogradit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG