Ndërlidhjet

Kina, India, Pakistani, partnerët e rinj të NATO-s

  • RFE /RL

Kreu i NATO-s kërkoi që Aleanca të jetë hallka përfshirëse e shumë lojtarëve ndërkombëtare në fushën e sigurisë. “Nuk ka asgjë të keqe nëse Kina, India, Pakistani dhe vende të tjera, zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta me NATO-n”, tha Anders Fogh Rasmusen.




Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bëri thirrje që Aleanca të shtojë kontaktet lidhur me çështjet e sigurisë globale me vende si Kina, India, Pakistani.

Anders Fogh Rasmusen tha se NATO-ja nuk mund t’i përmbushë detyrat pa u përfshirë në dialog aktiv e sistematik me lojtarë të tjerë të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare.

“Dua të nënvizoj tri pika. Së pari, në kohën e pasigurisë globale mbrojtja territoriale duhet të fillojë përtej kufijve tanë. Së dyti, suksesi ynë në ruajtjen e sigurisë së përbashkët, përfshirë edhe NATO-n, gjithmonë e më shumë varet nga shkalla e bashkëpunimit tonë me të tjerët. Së treti, NATO-ja duhet të kthehet në një forum global për këshillime mbi çështjet e sigurisë”, tha Rasmusen.

Kërcënimet ndaj Evropës dhe Amerikës së Veriut vijnë nga pjesë të ndryshme të botës. E vetmja mënyrë që NATO-ja t’i adresojë këto kërcënime si duhet, është përmes krijimit “të një koalicioni më të gjerë e më përfshirës”.

“Nuk ka asgjë të keqe nëse Kina, India, Pakistani dhe vende të tjera zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta me NATO-n. Kjo vetëm do të sjellë përfitime, sa i përket besimit reciprok dhe bashkëpunimit”, theksoi Rasmusen.

Kreu i NATO-s shtoi se Aleanca ka qenë në gjendje të përballet me kryengritësit në Afganistan, vetëm në bashkëpunim me lojtarë të tjerë si Kina, India e Rusia, që kanë interesa në rajon.

“India ka rol në stabilitetin e Afganistanit. Kina gjithashtu. Të dyja këto vende mund të ndihmojnë edhe më shumë për zhvillimin dhe rindërtimin e Afganistanit. E njëjta gjë vlen dhe për Rusinë”.

“Nëse Afganistani dhe njëherë kthehet në zonë të sigurt për terroristët, ata mund të përhapen lehtësisht në Azinë qendrore dhe në Rusi. E, nëse shtojmë këtu dhe trafikun e drogës, që përbën një problem madhor për Rusinë, situata merr një tjetër rëndësi”,
u shpreh shefi i NATO-s.

Megjithatë, ai theksoi se ende “pjesë të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, të përfshira në proceset e paqes nuk aftësohen së bashku, nuk planifikojnë së bashku”.

“T’i jepet fund këtij fragmentimi, do të kërkojë një revolucion të vërtetë në kulturat e punës”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Aleanca, aktualisht, po diskuton konceptin e ri strategjik, i cili do të merret në shqyrtim në takimin e Portugalisë nëntorin e ardhshëm.

Megjithatë, Rasmusen theksoi se detyra kryesore e NATO-s mbetet mbrojtja e vendeve anëtare. Ai shtoi se “kemi planet e duhura, strategjitë dhe solidaritetin për të mbrojtur shtetet anëtare”.

Anders Fogh Rasmusen i bëri këto komente gjatë Konferencës ndërkombëtare të sigurisë në Mynih. (I.B)
XS
SM
MD
LG