Ndërlidhjet

Imami: Ristrukturimi i KFOR-it, do të këshillohen vendorët


“Çdo vendim për strukturimin e misionit të NATO-s në Kosovë do të merret pasi të jetë shqyrtuar gjendja dhe të jenë pyetur aktorët. Te këta të fundit, para së gjithash kam parasysh aktorët lokalë”, tha Arben Imami, ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti ministër, gjatë ditëve të fundit, keni marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Stamboll, ku u diskutua dhe për ristrukturimin e KFOR-it. Çfarë mund të thoni konkretisht për këtë ristrukturim?

ARBEN IMAMI

Ajo që mund të themi është se ka një vlerësim të përgjithshëm, të cilin e ndan dhe Shqipëria, se historia e NATO-s në Kosovë, është një histori suksesi. Vendi ka ardhur drejt stabilizimit, kemi një vend ku janë mbajtur zgjedhje të rregullta dhe që ka dëshmuar maturi politike.

Gjendja e përgjithshme e sigurisë është e kënaqshme dhe kjo bën që dhe prezenca e ushtarake do të shkojë në raport të zhdrejtë me rritjen e sigurisë. Ne, në mënyrë të veçantë, jemi të interesuar që ky proporcionalitet të jetë sa më i qartë.

Duke pasur parasysh që pjesa e veriut të Kosovës është në një masë të caktuar jashtë kontrollit të autoriteteve vendore atje dhe duke pasur parasysh që strukturat e pushtetit lokal janë të sponsorizuara nga Beogradi, çka shkon kundër të gjitha përpjekjeve të Aleancës dhe të aleatëve, mendojmë që çdo hap duhet të jetë i kujdesshëm.

Besoj se kjo bindje mbizotëron.

RADIO EVROPA E LIRË

Në këndvështrimin tuaj dhe të vendeve të tjera anëtare, a mendoni se numri prej 4000 trupash, që pritet të reduktojë KFOR-i në vitin 2011, sipas raporteve të agjencive të lajmeve, është i mjaftueshëm për të ruajtur stabilitetin në Kosovë?

ARBEN IMAMI

Nuk po flasim për numra. Megjithatë, më duhet të them se nuk është ky numër. Ajo që është e rëndësishme, është se çdo vendim do të merret pasi të jetë shqyrtuar gjendja dhe pasi të jenë pyetur aktorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flisni për aktorët, a do të këshillohet Aleanca me institucionet e Kosovës për ristrukturimin e KFOR-it?

ARBEN IMAMI
Kur flas për aktorët, para së gjithash, flas për aktorët lokalë. Po, ata do të kenë rolin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË

Kur flasim për ristrukturimin e KFOR-it, a do të përfshihet Shqipëria drejtpërdrejt në këtë mision?

ARBEN IMAMI

Shqipëria e ka deklaruar që nuk do të çojë trupa atje. Ne kemi thënë se Shqipëria do të dërgojë oficerë në kuadër të NATO-s për përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Njëherësh, do të japim dhe ndihma materiale dhe financiare për FSK-në. Rritja e kapaciteteve të FSK-së është fundamentale për stabilitetin në Kosovë dhe për realizimin e planit, për të cilin po flasim.
XS
SM
MD
LG