Ndërlidhjet

Ekspertë të së drejtës penale në Prishtinë, konsiderojnë se dënimi i përjetshëm duhet të përfshihet në reformimin e Kodit Penal të Kosovës, për ndryshimin e të cilit janë marrë iniciativat e para nga autoritete vendore e ndërkombëtare.





Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë dhe profesorë në lëmin e drejtësisë, kanë propozuar futjen e dënimit me burgim të përjetshëm në Kodin Penal të Kosovës.

Nëse një propozim i tillë miratohet nga grupi punues i ndryshimit të Kodit Penal, atëherë kryerja e një vrasjeje të shkallës së parë, do të mund të gjykohet me burgim të përjetshëm.

Profesori i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës, Ismet Saliu, thotë se reformimi i Kodit Penal është i nevojshëm, në veçanti kur bëhet fjalë për krimet e rënda.

Salihu konsideron se burgimi afatgjatë, nuk është dënim i duhur për rastet e veprave penale të rënda.

“Edhe ne, gjatë zbatimit të Kodit Penal që tash e pesë vite ka hyrë në fuqi, kemi vërejtur që burgimi afatgjatë nuk është dënim adekuat për rastet e veprave penale jashtëzakonisht të rënda”.

“Kështu që, gjatë punës në përgatitjen e plotësimeve dhe ndryshimeve të Kodit Penal, që kanë filluar në pranverën e vitit të kaluar, edhe unë, si profesor i së drejtës penale, kam marrë pjesë, faktikisht, është punuar katër muaj në këto ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal”.

“Sidomos, në këshillin e fundit, ku merrnin pjesë gjykatës, prokurorë, avokatë, shkencëtarë të së drejtës penale, por edhe ekspertë ndërkombëtarë nga Zyra Ligjore e Ambasadës Amerikane dhe EULEX-it, ka dominuar mendimi që edhe në Kodin Penal të parashihet burgimi i përjetshëm”
, thotë Salihu.

Profesori i së drejtës penale, Salihu, përmend arsyet pse duhet të ekzistojë një dënim i tillë.

“Ekziston një kategori e personave që kanë prirje skajshmërisht për amoralitet e negativitet, të cilët nuk druajnë që të vrasin dy tre-veta, për shkaqe të interesave të tyre”.

“Posaçërisht, ky dënim do të ketë ndikim edhe frikësues; t’ua bëjë me dije kriminelëve të mëdhenj, shumë të paskrupullt, që nëse kryejnë vepra, siç janë vrasjet e rënda, ekziston mundësia që të shqiptohet burgimi i përjetshëm”,
deklaron Salihu.

Mirëpo, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj, konsideron se dënimi me vdekje dhe dënimi i përjetshëm nuk janë humane.

Sipas tij, dënimet e përjetshme nuk duhet të aplikohen në Kosovë.

“Dënimet kapitale deri në 40 vjet, që tani i shqiptojmë, do të kishin arsyen e vet, sepse, nëse merret në aspektin sociologjik dhe psikologjik, si edhe gjitha format e tjera, njeriu nëse nuk risocializohet për 30-40 vjet, ai më nuk vlen dhe është e kotë, është një barrë e shoqërisë pse mbetet në burg të përjetshëm”,
shpjegon Nokaj.

Nokaj thotë se në Kosovë, nuk ka ndodhur asnjëherë që të ketë vrasje të rënda, të cilat, sipas tij, do të ishte dashur të dënoheshin me dënime të përjetshme.

“Më mirë është që të kemi një preventivë që të rregullohen problemet shoqërore dhe me një standard mesatar ekonomik, njerëzit do të jenë me të butë, më të ndërgjegjshëm, më të arsyeshëm dhe nuk do të shkojnë kah krimet e rënda”.

“Ne nuk kemi ndonjë rast tepër ekstrem vrasjeje, për shembull, siç kanë ndodhur në rajon vrasje të pesëfishta”,
thekson Nokaj.

Sipas Nenit 35 të Kodit Penal të Kosovës, dënimi me burg afatgjatë për vepra më të rënda penale të kryera me dashje, ose në rrethana veçanërisht rënduese, dënohen prej 21 deri në 40 vjet burgim.

Sido që të jetë, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada Amerikane, para pak kohësh kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për çështjen e reformimit të Kodit Penal dhe të procedurës penale.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG