Ndërlidhjet

GND diskuton zhvillimet në Kosovë


Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën (International Steering Group) mban sot një takim në Vjenë, për të diskutuar arritjet dhe sfidat në Kosovë, që nga mbledhja e fundit e këtij grupi. Raportin në këtë kuadër do ta prezantojë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati holandez, Piter Feith, i cili njëherësh është edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Në takimin e sotëm merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

GND përbëhet nga 25 vende që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe në takimin e sotëm, ky grup do të përfaqësohet nga drejtorët për Ballkanin në qeveritë e vendeve anëtare.

Temë diskutimesh pritet të jetë strategjia e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës për integrimin e veriut të vendit, e cila tash ka filluar të njihet si strategjia e integrimit.

Kjo strategji ka arritur deri tash të përfitojë përkrahjen e shumë faktorëve ndërkombëtarë, por kundërshtohet ashpër nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës.

GND sot gjithashtu pritet të diskutojë edhe për mandatin që zoti Feith ka në Kosovë, i cili do t’i nënshtrohet një rishikimi të dytë më 11 shkurt, si përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mandati i tij në këtë post, zyrtarisht përfundon në fund të këtij muaji dhe për vazhdimin eventual të kontratës, duhet të vendoset në takimin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave.

Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Julia Reuter.

“Mandati i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, do të skadojë në fund të shkurtit. Për momentin, është duke u zhvilluar një proces rishikimi në nivelin e Bashkimit Evropian në Bruksel”.

“Ne mund të presim një vendim në lidhje me mandatin e tij, më 11 shkurt kur, nga krerët e qeverive dhe të shteteve, do të vendoset për këtë gjë në takimin e Këshillit në Bruksel”, ka thënë Reuter.(A.V.)
XS
SM
MD
LG