Ndërlidhjet

Ministria e Jashtme e Maqedonisë nuk e komenton vendimin e kryeministrit grek, që të mos realizohet takim me kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndërsa, ish-ministri i Jashtëm, Çashule, e vlerëson pozitivisht qëndrimin e disa përfaqësuesve të vendeve evropiane që BE-ja të përfshihet në negociatat mes dy vendeve për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ndërkaq, analisti Salajdin Salihu thotë se është koha e fundit që çështja e emrit të marrë epilogun e vet.


Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë paralajmëron vazhdimin e iniciativave, të cilat do të çojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin me Greqinë, pavarësisht, siç thuhet, sinjaleve negative nga Greqia.

Ende nuk është komentuar përgjigja, e cila arriti nga kabineti i kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, pas ftesës së kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për një takim të përbashkët.

Ndërkohë, duke i komentuar qëndrimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që kjo organizatë të përfshihet më shumë në zgjidhjen e kontestit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Sllobodan Çashule, thotë se përfshirja e Unionit në kontestin midis këtyre dy vendeve, do të mund të ishte në favor të Maqedonisë.

“Me këtë, Unioni do ta pranonte dhe do ta garantonte marrëveshjen e përkohshme, ndërsa ajo parasheh që Greqia të mos e pengojë Maqedoninë të integrohet në organizatat multilaterale”.

“Kjo do të thotë, që kur do të bëhet dokument i garantuar nga BE-ja, atëherë Greqia do të duhet të pajtohet menjëherë që ne të marrim datën për çeljen e negociatave"
, thotë Çashule, duke shtuar se Evropa mund të ndjekë modelin e Sllovenisë dhe Kroacisë, sa i përket Maqedonisë dhe Greqisë.

Ndërsa, analisti Salajdin Salihu thotë se tani ka filluar të bjerë ora e fundit për zgjidhjen e çështjes së emrit midis dy vendeve.

“Janë shtjerrë të gjitha mundësitë dhe, detyrimisht, Maqedonia duhet të marrë hapin e guximshëm, duhet të marrë përgjegjësinë, kjo Qeveri duhet të marrë përgjegjësinë mbi vete dhe të fillojë, thjesht, një lloj negociate shumë serioze për ta zgjidhur këtë problem”,
vlerëson Salihu.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në deklaratën e tij të fundit ka thënë se Greqia ia ka imponuar Maqedonisë problemin me emrin dhe vendi, për këtë arsye, është bllokuar në rrugën për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ndërsa, kryeministri Nikolla Gruevski, përmes një letre, e kishte ftuar kryeministrin grek, Papandreu, që të zhvillojnë një takim në Maqedoni, apo diku tjetër, për zgjidhjen e çështjes së emrit, por pala greke e ka refuzuar këtë ftesë, pasi, sipas saj, për këtë takim nevojiten shumë përgatitje.
XS
SM
MD
LG