Ndërlidhjet

Periudhë protestash


Protestave të javës së kaluar për rritje pagash, u janë bashkuar edhe gardianët e burgut të Dubravës dhe ata të Pejës, me një protestë dyorëshe. Ata i dhanë ultimatum Ministrisë së Drejtësisë deri të mërkurën, që t’i realizojë kërkesat e tyre.


Protestave të mbajtura javën e kaluar, nga punonjësit e policisë dhe ata të shëndetësisë, u është shtuar sot edhe protesta e gardianëve të burgut të Dubravës, të cilët, po ashtu, kërkuan rritje të pagave.

Protestës dyorëshe i janë bashkuar edhe gardianët e burgut të Pejës.

Ata i kanë dhënë një ultimatum Ministrisë së Drejtësisë deri të mërkurën që të bëjë një zgjidhje lidhur me kërkesat e tyre, në të kundërtën, siç janë shprehur ata, protestat do të zhvendosen në Prishtinë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, ka thënë se marshi në qendër të Prishtinës, është planifikuar të mbahet të premten e ardhshme.

”Për kërkesat tona edhe një herë do ta njoftojmë Ministrinë e Drejtësisë, nga e cila kërkojmë garanci që brenda tri ditësh të zotohet për realizimin e tyre. Në të kundërtën, jemi të detyruar që të protestojmë para Ministrisë së Drejtësisë”
, ka thënë Sadikaj.

Mosrespektimi i ligjeve, pagat e ulëta dhe kushtet e vështira në punë, kanë shtyrë shumë punëtorë të institucioneve publike t’i shprehin pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme.

Javën e kaluar, protesta mbajtën edhe policët edhe mantelbardhët.

Gjendja e krijuar nga protestat e shpeshta, sipas sociologëve, është e atillë që mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Shefi i departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shemsi Krasniqi, ka thënë se aktualisht gjendja është e tensionuar.

“Është një fazë e tensionit social që po rritet në Kosovë. Kjo deri diku ka qenë e paralajmëruar edhe përmes sondazheve, edhe përmes hulumtimeve është bërë e ditur që është rritur shkalla e gatishmërisë së kosovarëve për protesta”.

“Greva e policisë ishte shumë e ndjeshme për funksionimin e shtetit, sepse pati edhe rritje të kriminalitetit, e sidomos të vjedhjeve, edhe ajo e mjekëve, e gjithashtu edhe protestat e tjera që janë paralajmëruar nga gardianët e burgjeve”.

“Mendoj që janë shumë të ndjeshme; janë sektorë shumë të ndjeshëm për funksionimin e shoqërisë”
, ka theksuar Krasniqi.

Edhe sociologu tjetër, Anton Berisha, ka vlerësuar se situata nuk është e mirë, sa u takon pakënaqësive të punëtorëve në disa institucione të vendit.

Siç ka thënë zoti Berisha, nëse institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare nuk ndërmarrin diçka për tejkalimin e gjendjes së krijuar, ajo mund të përkeqësohet edhe më shumë.

“Statusi i Kosovës për një kohë të gjatë na ka shërbyer si blerësi i qetësisë sociale. Tani ne jemi në një situatë kur duhet të ballafaqohemi me vetveten dhe ky ballafaqim me vetveten, kur nuk mund mundemi t’ia bartim dikujt tjetër fajin, kam frikë se mund të eskalojë në një lëvizje të zinxhirtë sociale në shprehjen e pakënaqësive”.

“Nuk e di se çka mund të bëjë Qeveria, nuk e di cili është potenciali dhe mundësia e tyre, e kam fjalën për potencialin ekonomik, por e di që pakënaqësitë do të vazhdojnë dhe është problem i madh nëse bashkësia ndërkombëtare nuk manifeston sens për tejkalimin e gjendjes”
, ka vlerësuar Berisha.

Ndërkaq, sociologu Krasniqi ka thënë se duke marrë për bazë pakënaqësitë e shpeshta të punëtorëve në sektorë të ndryshëm publikë, si dhe gjendjen sociale të tyre, institucionet e vendit duhet të merren më shumë me ketë çështje.

“Pakënaqësia mund të rritet, sepse ai mobilizimi i atyre ideve të mëdha që lidhen me krijimin e shtetit dhe funksionalitetin e shtetit, nuk zgjat gjithmonë”.

“Njerëzit kanë të drejtë dhe kanë nevoja reale konkrete që ato të zgjidhen. Duhet të sigurohet mirëqenia dhe të sigurohet jeta normale”
, është shprehur Krasniqi.

Mirëpo, ministri i Punës dhe Mirëqenës Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se Qeveria e Kosovës, për momentin nuk ka mundësi të bëjë shumë për kërkesat e punëtorëve. Disa nga kërkesat e tyre, ai, madje, i ka quajtur joreale.

“Disa kërkesa nuk janë reale. Ne, si Ministri e Punës, se unë i shoh edhe ministritë e tjera, kemi vullnet të mirë, por disa gjëra me të vërtetë nuk janë reale. Unë konsideroj se edhe nëse kanë kërkesa, le të jenë brenda mundësive buxhetore dhe Qeverise”,
ka thënë ministri Rashiq.

Edhe zyrtarë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tashmë kanë deklaruar se kanë kërkesa të ndryshme, si nga punëtorët e sektorit publik, po ashtu edhe nga ai privat, që të organizohen forma të ndryshme të grevave, në mënyrë që t’i shprehin pakënaqësitë e tyre.

XS
SM
MD
LG