Ndërlidhjet

Si do të shfrytëzohen kreditë nga BB-ja?


Banka Botërore

Banka Botërore

Kosova ka marrë një kredi nga Banka Botërore, për t'i financuar projektet për modernizim të sektorit publik dhe regjistrim të pronave, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritarë. Ndonëse e vlerësojnë në mënyrë pozitive marrjen e kredive nga Banka Botërore, ekspertët për çështje ekonomike shprehin kritika për destinimin e kësaj kredie.



Ende pa u mbushur një vit nga anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore, Kosova ka fituar kredinë e parë nga ky institucion, në vlerë prej 20.25 milionë dollarësh.

Kjo kredi do të shfrytëzohet për financimin e projekteve për modernizim të sektorit publik dhe regjistrim të pronave, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

“Njëmbëdhjetë milionë e katërmbëdhjetë mijë dollarë do të jenë kredi me zero interes, ndërsa pjesa tjetër, donacion. Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore e ka aprovuar dokumentin më 4 shkurt, në Uashington”.

“Aty thuhet se Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar, IDA - pjesë e Bankës, do t’i japë Kosovës, për financimin e projektit për modernizim të sektorit publik, kredi prej 4.4 milionë dollarësh, me afat të maturimit 40 vjet dhe periudhë të ngrirjes së kredisë, me normë të interesit zero për qind”,
thotë Shahini.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, e vlerësojnë në mënyrë pozitive marrjen e kredive nga Banka Botërore, por shprehin kritika për destinimin e kredisë.

Lekë Musa, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se ky veprim i Bankës Botërore është mjaft pozitiv për Kosovën, sepse me marrjen e kësaj kredie, Kosova konsiderohet vend i sigurt për huadhënie edhe për institucionet tjera financiare.

Megjithatë, ai thekson se institucionet vendore me këtë shumë të kredisë është dashur të mbështesnin projektet kapitale, të cilat do të mund t’i sillnin zhvillim ekonomik Kosovës.

“Pyetja ime do të ishte, pse ky modernizim nuk mund të bëhet prej fondeve të tjera. Dhe, sipas meje, ndoshta më mirë të financohen projektet kapitale, që do ta kenë normën e kthimit në investime më të shpejta dhe do të kemi shenja pozitive, reflektim pozitiv në sektorin privat, i cili është krijues i të ardhurave”
, shprehet Musa.

Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, marrjen e kredive e konsideron si thellim të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Bankës Botërore.

Sipas tij, financimi i projektit për modernizim të sektorit publik, ka mund të bëhet edhe me mjete buxhetore.

“Projekti është i nevojshëm, por kanë mundur të diskutohen edhe forma të tjera të financimit të këtij projekti. Projekti për kadastër është shumë i rëndësishëm, mirëpo shtrohet pyetja pse me kredi, apo kjo është bërë vetëm që të thellohet marrëdhënia me Bankën Botërore?”.

“Përfundimisht, nuk është se s’ka pasur fonde në Qeverinë e Kosovës. Por, mendoj se arsyeja kryesore qëndron në thellimin e marrëdhënieve me Bankën Botërore”,
thotë Ahmeti.

Në qershor të vitit të kaluar Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG