Ndërlidhjet

Vazhdojnë reagimet për qendrën e Shkupit


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Lëvizja qytetare “Zgjohu” dhe organizatat tjera joqeveritare, duke përshëndetur gatishmërinë e ministres së Kulturës, Elisabeta Kamçevska-Milevska, kërkojnë që në projektin “Shkupi 2014”, të përfshihen monumente shqiptare në sheshin e Shkupit, në mënyrë që ky shesh të rrezatojë frymë shumetnike, shumë-fetare, që e karakterizojnë këtë shtet.


“Lëvizja qytetare ‘Zgjohu’ kërkon nga Ministria e Kulturës të ndërtojë shtëpinë e “Nënë Terezës” në formë autoktone në vendin, ku aktualisht gjendet vetëm një pllakë përkujtimore”.

“Këmbëngulim që të ndërtohet ‘Burmali xhamia’, në vendin ku ka ekzistuar ajo para se të rrënohet; dhe e treta, kërkojmë të ndërtohen monumente dhe përmendore të figurave të ndritura të historisë shqiptare”
, thekson Bekim Hoxha nga Lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Ndërkohë, partitë politike shqiptare vlerësojnë se përjashtimi i identitetit shqiptar, në ndërtimet e reja, që tashmë kanë filluar të ndërtohen në kryeqendër, është i rrezikshëm dhe tensionon raportet ndëretnike në vend.

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrime, si pjesë e Qeverisë, Ermira Mehmeti, thotë se esenca e projektit “Shkupi 2014”, është shkaktimi i përçarjeve në shoqërinë e Maqedonisë.

“Element tjetër shumë alarmant është fakti se partia më e madhe maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, përpiqet të përçojë një mesazh që në esencë ka të bëjë me natyrën e shtetit dhe organizimin e tij”.

“Në fakt, ideja është që të tregohet se cili është këtu populli dominues. Qasja e këtillë është tejet shqetësuese për perspektivat për të ndërtuar dhe ruajtur shtetin e përbashkët”,
thotë deputetja Ermira Mehmeti.

Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare e udhëhequr nga Menduh Thaçi vlerëson se hovi i qeverisjes aktuale, e cila nuk lë hapësirë për realizimin e interesave të shqiptarëve, mund të ndalet, vetëm me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, Demokracia e Re në opozitë vlerëson se realizimi i projekteve që identifikohen vetëm me kulturën dhe historinë maqedonase, tensionon raportet edhe ashtu të rënduara ndëretnike.

“Qytetarët e Maqedonisë çdo ditë e më shumë i ndiejnë pasojat e tendencës për të treguar se Maqedonia është shtet mono-etnik dhe mono-fetar”.

“Çdo tentativë për të prishur këtë balancë të shtetit multi-etnik, nuk shkon në favor të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”,
shprehet zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Ndryshe, paralajmërimet për përkeqësimin e situatës ndëretnike dhe asaj politike përputhen edhe me porositë që gjithnjë e më shumë vijnë nga diplomatë të lartë evropianë.

Sipas tyre, Maqedonia mund të përfshihet në një periudhë jostabiliteti, nëse lidershipi i vendit nuk heq dorë nga investimi i projekteve antike dhe, përfundimisht, nuk fokusohet në zgjidhjen e çështjes së emrit, si dhe në debllokimin e procesit të integrimit në strukturat Euro-atlantike.
XS
SM
MD
LG