Ndërlidhjet

logo-print

Shpresat e Prishtinës për integrim


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Autoritetet vendore në Prishtinë kanë theksuar se qasja e tyre për integrimin e veriut të Kosovës në jetën institucionale të vendit, nuk drejtohet kundër askujt, por i kontribuon sundimit të ligjit në të gjithë territorin.


Takimi i së hënës i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, duket se ka zbutur fjalorin e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës në lidhje me strategjinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës, për veriun e vendit.

Grupi prej 25 shtetesh, që mbikëqyrë zbatimin e Planit të Ahtisarit në Kosovë, në konkludimet e veta mbështeti “domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës”, por nuk e precizoi atë si mbështetje për zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës, të hartuar nga ICO-ja dhe Qeveria e vendit.

Pas kthimit të tij nga Vjena, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se bazuar në planin e Ahtisarit, Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e Kosovës, do t’i vazhdojnë përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

Qasja integruese e autoriteteve vendore e ndërkombëtare, siç e cilësoi ai, nuk drejtohet kundër askujt.

“Angazhimet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës, të ICO-së, EULEX-it, të mbështetjes së plotë të NATO-s, janë angazhime të shpresës integruese. Nuk janë të drejtuara kundër askujt”.


“Përkundrazi, ato vetëm sa do të shtojnë mirëbesimin dhe partneritetin në mes të komuniteteve”
, tha kryeministri Thaçi.

Strategjia për veriun e Kosovës kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit zyrtar, i cili vazhdon ta kundërshtojë jetësimin e këtij plani.

Zyrtarët serbë i quajtën të pavlefshme edhe konkludimet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në lidhje me veriun e vendit, duke shprehur bindjen se shefi i ICO-së, Piter Feith, “nuk do të mund ta gjejë asnjë serb në veri të Kosovës, që do t’i ndihmojë në planin për integrimin e veriut”.

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, i tha Radios Evropa e Lirë se sfida e ardhme e diplomatit holandez Feith, si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, do të jetë bindja e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për strategjinë për veriun.

“Po qe se zoti Feith e merr mbështetjen e plotë të 27 shteteve anëtare të BE-së për strategjinë e tij për veriun e Kosovës, gjasat do të jenë më të mira që të zbatohet kjo strategji”.


“Në atë rast, mund të llogaritet në një presion shtesë, si të Brukselit, ashtu dhe të Kuint-it mbi Beogradin, për të lejuar që kjo strategji të zbatohet”
, tha Shala.

Përfshirja e Beogradit zyrtar në konsultimet mbi zbatimin e strategjisë për veriun, sipas Shalës, nuk do t’i ndihmojë përpjekjet e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë për rikthimin e veriut në jetën institucionale në Kosovë.

“Jam i bindur që gjatë vitit 2010, këto konsulta edhe nëse zhvillohen, nuk do t’i sjellin kurrfarë të mire as zotit Feith, as Kosovës, as strategjisë për veriun e Kosovës”.

“Kjo, ngase Beogradi nuk e ka ndërmend që në këtë periudhë të përqafojë modelin e neutralitetit ndaj decentralizimit në veriun e Kosovës, gjë që është propozuar në strategjinë për veriun e Kosovës”,
u shpreh Shala.

Vështirësitë politike në zbatimin e strategjive të shumta për integrimin e veriut të Kosovës, që ishin krijuar edhe në kohën kur vendin e administronte misioni i Kombeve të Bashkuara, pamundësuan atëkohë rikthimin e veriut nën autoritetin e Kosovës.

Mirëpo, strategjia e ICO-së dhe ekzekutivit kosovar për veriun, vjen në kohën kur Kosova po mbush dy vjet të ekzistimit si shtet.

Ky, si dhe shumë faktorë të tjerë, sipas nënkryetarit të parë të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, paralajmërojnë suksesin e strategjisë.

“Kjo strategji ka përparësi, sepse vjen në rrethana më të favorshme dhe më të ndryshuara për Kosovën, kur kemi një fillim të një procesi të integrimit të komunitetit serb në pjesët e brendshme të Kosovës, që u pa në procesin e zgjedhjeve lokale”.

“Për më tepër, kësaj i shtohet një vullnet i bashkësisë ndërkombëtare që të punojë në implementimin e strategjisë”
, tha Gashi.
XS
SM
MD
LG