Ndërlidhjet

Obama paralajmëron sanksione për Iranin


Presidenti amerikan, Barack Obama
Presidenti amerikan, Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim të përbashkët “rreth sjelljes së keqe të Iranit”, dhe se regjimi i sanksioneve ndërkombëtare mund të jetë i gatshëm për disa javë.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, parashikon se një raund i ri sanksionesh për ta ndëshkuar Iranin lidhur me programin bërthamor të tij mund të jetë i gatshëm për disa javë.

Obama theksoi se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar rreth, siç tha, “sjelljes së keqe të Iranit”.

Ai tha se refuzimi i Iranit ndaj planit të Kombeve të Bashkuara që uraniumi të pasurohet jashtë vendit, dëshmon se Teherani po e ndjek kursin , " i cili do ta çojë kah armatimi”.

“Kjo na sugjeron se, megjithë pohimet e tyre se fuqia bërthamore është vetëm për qëllime paqësore, ata në fakt vazhdojnë ta ndjekin kursin që do të çojë në armatim. Kjo nuk është e pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara”
, tha Obama.

Komentet e presidentit amerikan, Obama, u bënë pasi media shtetërore iraniane raportoi se Irani kishte filluar procesin e pasurimit të uraniumit në shkallën 20 për qind, për përdorim në reaktorin kërkimor mjekësor.

Shtetet e Bashkuara i sinjalizuan Iranit se Uashingtoni është i gatshëm t’i diskutojë mënyrat që Teherani t’i bashkangjitet komunitetit ndërkombëtar, por “ata nuk kanë thënë po”, tha Obama.

Ai, megjithatë theksoi se oferta për bisedime ende është e vlefshme.

“Ata tash e bënë zgjedhjen e tyre, megjithëse dera ende është e hapur. Ajo që do të bëjmë në javët në vazhdim, është zhvillimi i një regjimi të sanksioneve, që do t’ua bëjnë me dije se sa të izoluar janë nga bashkësia ndërkombëtare si tërësi”
, tha Obama.

Ai nuk dha detaje specifike për sanksionet, por vetëm tha se ato do të ofrojnë “disa mënyra” për të bërë trysni mbi Iranin.

Presidenti Obama shtoi se është i kënaqur kur sheh që Rusia është dakord se Irani nuk i ka marrë seriozisht shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Kam kënaqësi kur shoh se sa përpara kanë shkuar rusët në këtë çështje. Mendoj se ata e kanë parë qartë se Irani nuk ka qenë serioz rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjes së zgjidhshme ndërmjet Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha presidenti amerikan.

Të martën, kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Moskë, Nikolai Patrushev, tha se përderisa Irani po insiston se nuk synon armën bërthamore, “veprimet që po i ndërmerr lindin dyshime te vendet tjera dhe këto dyshime janë mjaft të bazuara.(V.P)
XS
SM
MD
LG