Ndërlidhjet

Kosova ka ftuar të rinjtë nga tërë bota që të bashkohen në festën e kosovarëve, e cila ka moton “Festo me Kosovën - me evropianët e rinj”. Opozita ka shprehur pakënaqësi me fushatën e deritashme për ndryshimin e imazhit të Kosovës.


Drejtuesi i planifikimeve në kompaninë “Saatchi & Saatchi”, Dejvid Kosmin, fton evropianët e rinjtë dhe, siç shprehet ai, ata që ia duan të mirën Kosovës, që të festojnë me qytetarët e shtetit më të ri në botë.

Dejvid Kosmin thotë se duke dërguar video-urimet e tyre të personalizuara në internet, njerëzit do të marrin pjesë në një fushatë mediale ndërkombëtare për Kosovën.

Ai deklaron se pjesë e festës së 17 Shkurtit, do të jenë edhe liderët e shteteve të ndryshme të botës.

“Gjithashtu, dëshirojmë të festojmë edhe me një pjesë shumë të rëndësishme të audiencës dhe kjo audiencë do të jetë me liderët botërorë, presidentët e vendeve, kryeministrat dhe udhëheqësit e ndryshëm të vendeve
”, thotë Kosmin.

Kompania sqaron se vizatime të fëmijëve kosovarë, që shënojnë vitin e dytë të pavarësisë së vendit dhe shpresat e tyre për të ardhmen, do t’u dërgohen udhëheqësve botërorë, në mesin e tyre edhe presidentit amerikan, Barak Obama, kancelares gjermane, Angela Merkel, mbretëreshës Elizabetë të Britanisë së Madhe, si dhe liderëve tjerë.

Por, sa ka arritur kjo kompani që ta ndryshojë imazhin e Kosovës në botë, ashtu edhe siç pati premtuar në fillim?

“Duhet t’ju them se fushata që është dhjetë herë më e vogël, apo njëzet herë më e vogël sesa ajo e shteteve të ngjashme, që përpiqen ta bëjnë këtë, me të vërtetë ka kryer punë. Gazetarët na thërrasin për intervista çdo kohë dhe me të vërtetë ka pasur ndikim”.

“Kjo fushatë, në të vërtetë, po i ndryshon pikëpamjet e njerëzve për shtetin tuaj. Shihni reagimet që kemi marrë në lidhje me fushatën ‘Festo me mua’, të postuara në Youtube, nga tërë bota njerëzit po dërgojnë urime të mrekullueshme për Kosovën dhe kjo përbën ndryshim”,
thotë Dejvid Kosmin nga kompania “Saatchi & Saatchi”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë, fushatën për ndryshimin e imazhit të Kosovës, nuk e shohin si efikase.

Ernest Luma, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se kompania “Saatchi & Saatchi”, ka dështuar në ndryshimin e imazhit për vendin.

“Si parti politike, konsiderojmë se më mirë do të kishte qenë një projekt më serioz, një angazhim edhe më serioz nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

“Nuk është mendim vetëm i AAK-së, por duke i parë edhe reagimet e ndryshme mediale, ndërkombëtare dhe vendore, edhe të opinionit të brendshëm edhe atij të jashtëm, vlerësojmë se ‘Saatchi & Saatchi’, më shumë ka dështuar, sesa që ka sjellë ndonjë profit në raport me destinimin, apo me atë që është pritur të ketë ky projekt”,
deklaron Luma.

Me fillimin e fushatës për të ndryshuar imazhin e Kosovës, Luma thotë se udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës kishin paralajmëruar se do të kishte një numër të konsiderueshëm njohjesh të reja, gjë që, sipas tij, nuk ka ndodhur.

“Edhe njohjet e pakta, mossuksesi, në aspektin, në të cilin edhe është investuar dhe ka qenë destinim i kësaj fushate, janë rezultat i një fushate të dështuar
”, thotë Luma.

Ndryshe, zyrtarët e kompanisë “Saatchi & Saatchi” bëjnë të ditur se reklamat televizive do të fillojnë të emetohen edhe në rrjetet televizive arabe dhe në mediet spanjolle.

Spanja dhe shumë vende tjera arabe, nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG