Ndërlidhjet

Roli i BE-së në integrimin e veriut


Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha një mbështetje strategjisë për integrimin e veriut. Por, analistët kosovarë thonë se për zbatimin e strategjisë, më e domosdoshme është mbështetja e Bashkimit Evropian.


Zbatimi i strategjisë së hartuar nga ana e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe Qeverisë së Kosovës, sipas analistëve kosovarë, nuk po varet vetëm nga vullneti i autoriteteve të vendit.

Dhe, derisa strategjia në fjalë mori një mbështetje nga ana e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, një e tillë nuk ka ardhur ende e plotë nga ana e Bashkimit Evropian.

Mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të këtij unioni, sipas analistëve, po shkakton telashe edhe në përpjekjet për integrimin e veriut, që vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele serbe.

Duke marrë parasysh kundërshtimin që Beogradi po i bën strategjisë, analisti Bardh Hamzaj thotë se zëri unik i BE-së është më se i domosdoshëm.

“Mendoj se presioni i BE-së mbi Beogradin është zgjidhja, është rruga, që duhet ndjekur. Nëse Beogradi do të jetë i ballafaquar me një presion real nga Brukseli, që ka të bëjë me kushtëzimin e integrimit të Serbisë në strukturat e BE-së, atëherë ajo do të mendonte dy herë, apo më shumë, para se ta pengonte proceset e integrimit të veriut në pushtetin e Prishtinës”
, thekson Hamzaj.

Megjithatë, analisti tjetër, Shenoll Muharremi, thotë se Bashkimi Evropian herë pas here i ka dërguar sinjale Beogradit, se duhet të bashkëpunojë me Kosovën.

Ndërsa, në raportin e progresit të Komisionit Evropian, potencohet nevoja e shtrirjes së sundimit të ligjit në veri.

Këto detaje, sipas Muharremit, i japin dritën jeshile Kosovës që të veprojë në veri.

“Bashkimi Evropian, në disa instanca, i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë konstruktive dhe të bashkëpunojë kur është fjala për Kosovën. Serbia nuk po e bën një gjë të tillë. Ne, si Kosovë, nuk mund të presim derisa Serbia e BE-ja të bien dakord për këtë punë”.

“Kemi shumë procese ku sundimi i ligjit është fundamental dhe nëse presim që të bien dakord të gjitha palët, atëherë Kosova vazhdon të mbetet mbrapa. Andaj, unë mendoj se mjafton që Kosova të shtrijë autoritetin atje dhe të ketë sundim të ligjit”,
thekson Muharremi.

Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta për Bardh Hamzajn. Ai, madje, thekson se edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar, nga i cili u prit mbështetje e fuqishme për strategjinë, nuk dha sinjale të qarta për domosdoshmërinë e zbatimit të saj.

“I është dhënë përkrahje, por është kërkuar që afatet kohore, të cilat i parashihte kjo strategji, për momentin të jenë më fleksibile, apo të mos merren fare parasysh”.

“Do të thotë, u është sugjeruar zbatuesve të kësaj strategjie që të mos nguten me asnjë hap, shkaku i frikës nga reagimet e popullatës serbe atje, por në radhë të parë, për shkak të drojës se mos po i dërgohet Beogradit ndonjë mesazh më i fortë sesa që duhet, me përkrahjen ndaj kësaj strategjie”
, vlerëson Hamzaj.

Ai shpreh mendimin se një qëndrim jo i fortë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, nëse nuk rrezikon, atëherë ngadalëson zbatimin e strategjisë në fjalë, e cila u kundërshtua ashpër nga ana e Beogradit, por edhe nga ana e politikanëve serbë të veriut.

“Me këtë i jepet një shenjë faktorit serb që udhëheq me strukturat paralele në veri, por edhe vetë Beogradit, që nëse janë ata të vendosur të bëjnë probleme, nëse nuk do të bllokohet e tërë strategjia, ritmi i realizimit të saj, do të jetë më i ngadalshëm”.

“Mendoj se me këtë u është dhënë një shenjë e panevojshme edhe strukturave paralele në veri, edhe Beogradit, se nëse është i vendosur, mund të pengojë realizimin e kësaj strategjie”
, thekson Hamzaj.

Jo-uniteti i komunitetit ndërkombëtar karshi Kosovës, posaçërisht i Bashkimit Evropian, e ka penguar vendin edhe në proceset tjera, siç është ai i liberalizimit të vizave, por edhe i vetë procesit integrues.
XS
SM
MD
LG