Ndërlidhjet

SHBA: Mbrojtja raketore nuk e bllokon marrëveshjen me Rusinë


Administrata e presidentit Barak Obama, hodhi poshtë pohimet se dallimet me Moskën lidhur me planet amerikane për sistemin mbrojtës raketor në Evropë, po e bllokojnë marrëveshjen e re për reduktimin e armatimit strategjik bërthamor. Kjo deklaratë u bë pas vlerësimit nga shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë ruse se bisedimet për këtë marrëveshje janë ndalur, për shkak të planeve të reja të Uashingtonit për mbrojtjen e Evropës nga sulmet raketore nga vendet siç janë Irani.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës mohuan faktin se bisedimet me Rusinë për Strategjinë e Kontrollit të Armatimit Bërthamor, janë ndalur si pasojë e planit amerikan për mburojën raketore në Evropë.

Mohimi erdhi pas një vlerësimi të shefit të forcave ushtarake ruse, se bisedimet janë ndalur për shkak të planit të ri të Uashingtonit për sistemin mbrojtës në Evropë nga sulmet raketore të vendeve si Irani.

Nga Shtëpia e Bardhë, zëdhënësi Robert Gibbs tha se ky vlerësim është i gabuar.

“Unë mendoj se ky vlerësim në lidhje me atë që po ndodh me Marrëveshjen e Strategjisë së Kontrollit të Armatimit, thjesht nuk është i vërtetë. Dhe, nuk është pikërisht ajo që presidenti rus, Dimitri Medvedev, i tha presidentit të SHBA-së, Barak Obama”,
tha Robert Gibs duke shtuar se plani i Uashingtonit për mbrojtjen raketore për Evropën është bërë i ditur prej muajsh, por deri më tani ato nuk kanë nxitur vërejtje specifike.

“Kur para dy javësh presidenti Obama bisedoi me presidentin Medvedev, ky i fundit nuk e konsideroi këtë ide si një pengesë”
.

“Ndryshimet tona në arkitekturën e planit raketor në mbrojtje të Evropës dhe në mbrojtje të vendit tonë në mënyrën më të mirë, u bënë të ditura shtatorin e kaluar dhe kemi negociata substanciale, të cilat janë bërë prej muajsh
”, tha Gibs.

Marrëveshja e mëparshme, START, e Kontrollit të Armatimit skadoi më 5 dhjetor të 2009-ës, dhe administrata e Obamës kishte shpresuar që të arrinte pa vonesë një traktat të ri, duke bërë shkurtime në arsenalin e armëve bërthamore mes dy vendeve.

SHBA, përfundimisht kërkoi që ta mbajë të veçuar Marrëveshjen e Kontrollit të Armatimit dhe propozimin e mburojës raketore për Evropën, që është defensive dhe nuk involvon armatim strategjik atomik.

Por, shefi i stafit të forcave të armatosura ruse, gjenerali Nikolai Makarov, në mënyrë të drejtpërdrejtë i lidhi të dy çështjet së bashku.

Ai tha se Moska e sheh planin raketor për Evropën si shumë negativ, pasi kjo dobëson dhe ndërlidhet me arsenalin rus të raketave.

Makarov shtoi se nuk beson se mbrojtja raketore për Evropën bëhet për ta mbrojtur atë nga sulmet raketore të vendeve si Irani dhe Koreja e Veriut.

“Ajo, që ne kuptojmë është se zhvillimi dhe vendosja e planeve amerikane për mbrojtjen raketore, është direkt kundër Rusisë, pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të të gjitha qeverive, që kjo bëhet për sigurinë... kjo është larg së vërtetës”,
tha gjenerali rus Nikolai.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Krouli ka ripërsëritur garancinë amerikane se mburoja raketore është reagim ndaj kërcënimeve të mundshme nga Irani dhe nuk ka për qëllim t’i drejtohet Rusisë.

Krouli tha se pala amerikane ka qenë e hapur rreth planeve raketore dhe ka biseduar për to me zyrtarët rusë. (A.Ç.)

XS
SM
MD
LG