Ndërlidhjet

Vendimet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën që të mos preket në kompetencat ekzekutive të Shefit të ICO-së, Piter Feith, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, nuk e pengojnë, por e ndihmojnë zhvillimin e proceseve dhe funksionimin e institucioneve.


Ruajtja e kompetencave dhe përgjegjësive ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Piter Fieth, tregon se institucionet e Kosovës ende kanë nevojë për prani dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, ka ende shumë veprime politike që involvojnë Zyrën Ndërkombëtare Civile si partnere të institucioneve të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se vendimet e Grupit Ndërkombëtar Drejtues që Piter Feithit t’i reduktohen disa kompetenca, por jo edhe ato ekzekutive, nuk e pengojnë zhvillimin e institucioneve, pasi që faktori ndërkombëtar, sipas tij, në Kosovë është partner dhe jo konkurrent i organeve vendore.

“Ne kemi pasur një filozofi të përmbushjes së njëri-tjetrit dhe jo të konkurrimit, dhe mendoj që në këtë drejtim kemi pasur suksesin e duhur".

"Mendoj se vlerësimi është adekuat, e, edhe kompetencat e tij për momentin. Por, gjithmonë duke e rritur cilësinë e qeverisjes sonë dhe duke i rritur kompetencat që i kanë vendorët në proporcion me zvogëlimin e kompetencave që mund t’i ketë edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Besoj se kjo nuk i pengon zhvillimet në Kosovë, por përkundrazi i ndihmon ato”
, thotë Kuçi.

Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thekson se ngritja e plotë e institucioneve të Kosovës do të diktojë domosdoshmërisht reduktimin e plotë të kompetencave të institucioneve mbikëqyrëse ndërkombëtare.

Ai e sheh ICO-në si një institucion që i duhet Kosovës edhe në lidhje me proceset integruese në strukturat e BE-së dhe NATO-s.

“Gjithmonë ekziston nevoja për më shumë ngritje të kompetencave vendore me një ditë kur do të thosha se nuk do të kemi nevojë për një mbikëqyrje të tillë ndërkombëtare”.

“Por, kjo duhet të jetë në proporcion me zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në kuadër të strukturave euroatlantike dhe të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë”,
thekson Kuçi.

Ndërkohë, deputetja opozitare nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, thotë se vendimet e fundit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues ishin sa pozitive, aq edhe mesazh-dhënëse për Kosovën.

Ruajtja e kompetencave ekzekutive për përfaqësuesin civil ndërkombëtar, sipas saj, dëshmon për ngecjet në formimin e institucioneve funksionale të Kosovës.

“Mosprekja e kompetencave të ICO-së, do të thotë se Qeveria e Kosovës ende nuk është e aftë për t’i përmbushur obligimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës”.

“Ajo ende ka nevojë që institucionet ndërkombëtare, në këtë rast ICO-ja dhe EULEX-i, të jenë të pranishme në Kosovë me kompetencat që i kanë dhe, njëkohësisht, mund të them se ato janë përforcuar me takimin e Vjenës"
, shprehet Gaxherri.

Deputetja Besa Gaxherri thotë, po ashtu, se dy vjet pas pavarësimit të Kosovës, zgjatja e kompetencave ekzekutive të përfaqësuesve ndërkombëtarë nënkupton edhe zvarritjet në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, ndonëse thekson edhe faktin se përmbushja e këtij dokumenti për statusin, nuk varet vetëm nga institucionet e Kosovës.

“Nuk është se nuk është bërë asgjë në drejtim të përmbushjes së kërkesave të Pakos së Ahtisarit, por, realisht, shumë çështje nuk varen tërësisht nga vullneti i institucioneve të Kosovës”.

“Këtë duhet ta themi, për arsye se ato janë çështje politike dhe pa dashur të dy palët që të përmbushen, këto pika nuk përmbushen”, vlerëson Gaxherri.

Me Pakon e presidentit Ahtisari, parashihet që prania monitoruese ndërkombëtare të zbehet, apo edhe të përfundojë, pas dy viteve të pavarësisë, varësisht përparimeve dhe pjekurisë politike e demokratike të institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, shkurtimet në staf, por jo edhe prekja e kompetencave ekzekutive të ICO-së, ndërlidhet edhe me proceset aktuale, siç është gjendja në pjesën veriore të Kosovës dhe decentralizimi i pushtetit, ku ICO-ja e Piter Feithit ka rolin kryesor me planet dhe strategjitë për integrimin e komuniteteve, sidomos atij serb.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG