Ndërlidhjet


Këshilli Ndërministror për Integrime Evropiane u zotua se të gjitha institucionet e vendit janë të angazhuara maksimalisht në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, si dhe shtimit e thellimit të dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe kryesues i këtij këshilli, deklaroi se Qeveria e ka vënë si prioritet strategjik dhe vizion të politikës së Kosovës, procesin e integrimit.

“Nga janari i këtij viti ka filluar dialogu i procesit të stabilizim-asociimit dhe deri në korrik pritet të mbahen edhe gjashtë takime të tjera sektoriale, si dhe një takim tjetër plenar”.

“Aprovimi i rekomandimeve të Komisionit Evropian nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian është një sukses për Kosovën në procesin e integrimit”.

“Kjo dëshmon përkushtimin e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit për Kosovën dhe perspektivën e saj për anëtarësimin e Kosovës sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian”
, tha Thaçi.

Kryeministri Kosovës, Thaçi, theksoi se rruga për në Bashkimin Evropian kërkon përgjegjësi dhe përkushtim maksimal nga institucionet e Kosovës dhe nga shoqëria në përgjithësi.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit evropian është një proces jo i shkurtër dhe plot me sfida, i cili kërkon një përkushtim dhe dedikim nga të gjithë ne".

"Procesi i integrimit evropian përfshin të gjitha aspektet edhe të shoqërisë kosovare, duke filluar nga strukturat komunale, ato qeveritare, Parlamentin, Presidencën, Gjyqësorin, mediat e lira, shoqërinë civile dhe sektorin publik dhe privat, në përgjithësi
”, theksoi Thaçi.

Thaçi vlerësoi se studimi i fizibilitetit për Kosovën, ka dhënë rekomandime për avancimin konkret të marrëdhënieve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka hapur rrugën e dialogu për liberalizimin e vizave, ka hapur rrugë për marrëdhënie tregtare, si dhe ka fuqizuar raportin politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Qeveria e Kosovës në përmbushjen e obligimeve të agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian, doli me disa prioritete urgjente strategjike për vitin 2010.

Disa nga to janë: ngritja e kapaciteteve dhe fuqizimi i rolit të institucioneve të Qeverisë në fushën e integrimit evropian, reforma në Administratën Publike, lufta kundër korrupsionit, liberalizimi i vizave etj.

Po ashtu, ndër këto prioritete është edhe reformimi i sistemit të drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, tha se tashmë kanë nisur punën për reformat e kërkuara.

“Është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që ta rishkruajë Ligjin për gjykatat, në disa vërejtje që janë bërë në atë ligj”.

“Ministria e Drejtësisë e ka studiuar mirë Ligjin për gjykatat dhe ka gjetur që disa nene të atij ligji i tejkalojnë ato që janë paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me raportin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës
”, tha ministrja Kelmendi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG