Ndërlidhjet

Vendimi i GJND-së stabilizon rajonin


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mund ta stabilizojë rajonin dhe t’i ndryshojë pikëpamjet e Serbisë për Kosovën, ka thënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Zhan Oselborn. Këto qëndrime ai i ka shpalosur në Prishtinë, pas takimeve me udhëheqësit e Kosovës.


Sinjale optimiste për njohje të reja dhe stabilizim të Ballkanit, ka sjellë në Prishtinë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Zhan Oselborn.

Garanci për shtim të njohjeve, Oselborn i ka dhënë edhe presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“Morëm një garanci për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, që duhet t’i bëhen Kosovës”.

“Një qasje jona e përbashkët është se i gjithë rajoni duhet të lëvizë shpejt në procesin e integrimeve, se shembull i veçantë për këtë duhet të jenë raportet e mira ndërfqinjësore mes vendeve sovrane, se duhet të çmohet ajo që është vlerë e secilit vend, në kuptim të diversiteteve etnike”
, është shprehur Sejdiu.

Kryediplomati i Luksemburgut, optimizmin për njohje të reja dhe për stabilizimin e rajonit, e mbështet në mendimin këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, që do të jepet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kah mesi i këtij viti.

“Njëzetedy vende e kanë njohur Kosovën, pesë jo. Nuk dua t’i kritikoj ato, por mbase më 2010, do të ketë një revolucion në drejtim të mirë, paralelisht do të ketë revolucion në drejtim të mirë edhe sa i përket Beogradit në qasjen e tij drejt Evropës”
, ka thënë Oselborn.

Ai ka sqaruar se edhe Bashkimin Evropian e presin sfida të vështira, për të realizuar atë që kishte premtuar më 2003, integrimin e Ballkanit në BE.

Oselborn, madje ka thënë, se moszgjidhja e çështjes së Kosovës në raport me Serbinë, mund të quhet edhe si dështim i BE-së.

“Mendoj se problemi është në atë, se ne, si BE duhet ta pyesim vetveten se si mund ta stabilizojmë Ballkanin. Edhe në Serbi, secili duhet ta dijë se stabilizimi i Ballkanit është në interes së çdokujt”.

“Prandaj, për ta stabilizuar, duhet të ndërmerren disa hapa në momente të caktuara. Njëzeteshtatë vendet e BE-së, jo njëzetedy, e dinë se duhet gjetur zgjidhja për Kosovën”.

“Nëse nuk ka zgjidhje për Kosovën, projekti paqësor evropian do të dështojë”,
ka theksuar Oselborn, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi.

Edhe kryeministri Thaçi ka shprehur optimizëm se pas vendimit të GJND-së, do të ketë ndryshim të pikëpamjes së Serbisë për Kosovën, por edhe të shteteve që ende hezitojnë ta njohin shtetin e ri.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, pas takimit me zotin Oselborn, ka bërë të ditur se në prag të dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, u ka dërguar letra shteteve, nga të cilat kërkohet njohja e Kosovës si shtet i pavarur.

“Letra është një përsëritje e kërkesës zyrtare për njohje, ndërkaq promemoria është një përmbledhje e të arriturave të Kosovës gjatë dy viteve të pavarësisë, sidomos në fushën e ndërtimit të institucioneve shtetërore dhe në fushën e rrumbullakimit të strukturës legale”,
ka thënë Hyseni.

Por, letra të tilla, nuk u janë dërguar të paktën dy vendeve - Serbisë dhe Rusisë. Ministri Hyseni, e ka shpjeguar edhe arsyen:

“Serbia e Rusia nuk janë përfshirë në mesin e këtyre letrave. Ne nuk do të bëjmë veprime sa për të bërë veprime. Nuk do të bëjmë lojëra me një akt aq të rëndësishëm të kërkesës zyrtare për njohje”.

“Disa vendeve do t’u dërgojmë kërkesat për njohje, pasi të jemi siguruar që janë krijuar disa parakushte esenciale dhe vetëm atëherë do të bëjmë lëvizjen tonë”
.

Në kohën, kur Kosova po mbush dy vjet si e pavarur, atë e kanë njohur 65 vende, në mesin e të cilave shtetet më të fuqishme botërore, si SHBA dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG