Ndërlidhjet

Që nga java e kaluar shërbyesit civil dhe punonjësit e disa institucioneve publike në Kosovë, po kërkojnë rritjen pagave të tyre. Por, cilat janë mundësitë buxhetore për realizimin e kërkesave të tyre? Anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës dhe ekspertë të ekonomisë, thonë se një menaxhim dhe shpërndarje më e mirë e buxhetit, mundëson rritje të pagave.


Një menaxhim më efikas i buxhetit të Kosovës, mundëson rritjen e pagave të shërbyesve civilë dhe punonjësve të sektorit publik, të cilët tashmë disa ditë, në forma të ndryshme, po shprehin pakënaqësitë e tyre duke kërkuar rritjen e pagave, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Haki Shatri, deputet dhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, thotë se keqmenaxhimi i buxhetit po e pengon rritjen e pagave të shërbyesve civilë.

“Ka mundësi që me një punë të mirë të inkasohet më shumë buxhet, të sigurohen më shumë të hyra buxhetore dhe, në bazë të kësaj, pastaj me shpërndarje të merren parasysh kërkesat për rritje të pagave. Ky është njëri segment
”, thotë Shatri.

Edhe Sefedin Sefa, ekspert për çështje ekonomike, pohon se nëse qeveria, me rastin e ndarjes së buxhetit, do ta merrte parasysh edhe rritjen e pagave të shërbyesve civilë, atëherë mundësitë do të ekzistonin.

Ai thekson se tashmë disa vjet, qeveria po ndërmerr hapa në rritjen e pagave të punonjësve në sektorë të ndryshëm, vetëm pas mbajtjes së protestave.

Sefa thotë se kjo mënyrë po shkakton reaksion zinxhiror, duke i shtyrë edhe punonjësit e institucioneve të tjera të kërkojnë rritje të pagave.

“Orientimi, në formë strikte, duhet të procedohet me legjislacion. Është shumë e rëndësishme që të mos jepen premtime vetëm në sektorë, sepse kjo në mënyrë zinxhirore po përcillet edhe te sektorët tjerë”.

“Mirëpo edhe ato nuk janë të qëndrueshme, sepse nuk janë të përfshira në paketën e përgjithshme të ndarjes së pagave të të gjithë sektorit publik që i takojnë”
, shprehet Sefa.

Haki Shatri, njëherësh edhe ish-Ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se aspekti tjetër që e pengon rritjen e pagave, është shpërndarja e gabuar e mjeteve buxhetore në sektorë të ndryshëm, madje, siç thotë ai, në fushat që qeveria i ka vënë si prioritet në agjendën e vet.

Sipas Shatrit, paratë publike po destinohen në mënyrë të paarsyeshme, duke diskriminuar kështu shërbyesit civilë dhe punonjësit në disa ndërmarrje publike.

“Fjalën e kam për shëndetësinë, gjyqësorin, arsimin, drejtësinë dhe policinë. Të gjitha këto kategori në prioritetet e Qeverisë teorikisht janë të vendosura në prioritet, kurse në praktikë, me buxhet janë të diskriminuara”.

“Dhe, sipas këtij buxheti nuk ka mundësi, sepse ato para janë orientuar për import të energjisë. Do të thotë, mundësi objektive ka, por ka keqmenaxhim të buxhetit”
, thotë Shatri.

Ndryshe, pas protestave të mbajtura javën e kaluar, nga punonjësit e policisë, ata të shëndetësisë, gjatë kësaj jave kanë protestuar edhe pjesëtarë të shërbimit korrektues, dhe me nga një orë brenda ditës po proteston edhe sindikata e jurisprudencës së Kosovës, duke kërkuar që pagat e tyre të barazohen me pushtet e para, legjislativin dhe ekzekutivin.

Në anën tjetër, nga shprehja e pakënaqësive përmes protestave, kanë përfituar punonjësit e shëndetësisë, pasi qeveria ka marrë vendim që pagat e tyre të rriten për 30 për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG