Ndërlidhjet

logo-print

Shqyrtohet financimi i strategjisë për veriun


Mitrovicë

Mitrovicë

Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar masa kundër strukturave dhe individëve në veri të Kosovës, që merren me kontrabandë dhe krim të organizuar. Ndërkaq, ka thënë se është duke u shqyrtuar financimi i strategjisë për veriun.


Strategjia e ICO-së për integrimin e veriut po i nënshtrohet një vlerësimi financiar të zbatimit të saj, është thënë në Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se pas një shqyrtimit të hollësishëm dhe studimit, Qeveria do të ndajë fondin për zbatimin e saj.

Kurse, një kontribut në këtë drejtim ai ka thënë se pret edhe nga vendet tjera mike të Kosovës, të cilat e kanë mbështetur zbatimin e kësaj strategjie që synon integrimin e veriut.

Thaçi është shprehur se fillimi i zbatimit të strategjisë, nënkupton edhe hapa energjikë kundër veprimeve ilegale dhe kriminale në këtë pjesë të Kosovës.

“Është përkushtimi për sundimin e ligjit dhe luftimin e pa-kompromis edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, ndaj individëve apo strukturave që janë marrë dhe ende pretendojnë të merren me kontrabandë, e që i kanë shkaktuar dëm të madh edhe politik edhe financiar shtetit tonë
”, ka theksuar Thaçi.

Suksesi i zbatimit të strategjisë për veriun, sipas kryeministrit të Kosovës, qëndron edhe në faktin se ajo e ka mbështetjen ndërkombëtare.

Andaj, Thaçi ka thënë se i ka ftuar në grupet punuese për implementimin e saj edhe partitë opozitare, në mënyrë që të ketë një qasje sa më gjithëpërfshirëse për integrimin e pjesës veriore.

“Unë i kam ftuar edhe partitë e opozitës që të jenë pjesë e grupeve punuese, në mënyrë që ky projekt të na bashkojë të gjithëve dhe assesi të mos pretendohet të politizohet, por të jetë një sukses i përbashkët”.

“Tjetra, çka është jashtëzakonisht me rëndësi, është edhe mbështetja unike gjithë-ndërkombëtare, në veçanti e grupit mbështetës ndërkombëtar për Kosovën, prandaj gjërat janë duke shkuar në drejtim të duhur”,
është shprehur Thaçi.

Strategjia për veriun shihet si një mundësi e mirë për shtrirjen e pushtetit në atë pjesë të Kosovës, edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ndonëse nuk është sqaruar se kur do të shtrohet për debat çështja e veriut në Kuvend, sipas kërkesës tashmë të parashtruar nga opozita, Krasniqi ka thënë se e sheh strategjinë si një mjet të mirë për vendosjen e sundimit të ligjit në veri të Kosovës.

“Strategjia është një dokument i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës dhe i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar për shtrirjen dhe zhvillimin edhe të pjesës veriore të Kosovës dhe sundimin e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë”
, ka theksuar Krasniqi.

Përveç qasjes integruese politike në raport me komunitetin serb, duke investuar në veri të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se atje do të ketë një mirëqenie sociale dhe do të krijohen vende të reja të punës.

Formimi i komunës së Mitrovicës së veriut dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira në komunat veriore, mendohet të jenë prioritetet fillestare të zbatimit të kësaj strategjie, me të cilën synohet integrimi i veriut deri në fund të këtij viti.

Plane të tilla janë kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit serbë në veri, të cilët kanë kërkuar edhe mbështetjen e Beogradit për pengimin e zbatimit të kësaj strategjie.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG