Ndërlidhjet

Regjistrimi dhe pakicat


Sheshi "Nënë Tereza" në Prishtinë
Sheshi "Nënë Tereza" në Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, vlerësojnë se do të ketë një pjesëmarrje të kënaqshme të komunitetin serb në procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, që pritet të fillojë në prill të vitit 2011. Ata thonë se janë duke u munduar të krijojnë një klimë të mirë për pjesëmarrje sa më të madhe të komunitetit serb në këtë proces, përfshirë këtu edhe serbët në pjesën veriore të Mitrovicës.


Sfidë në procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, mbetet pjesëmarrja e komunitet serb.

Megjithatë, duke pasur parasysh të gjitha përgatitjet që janë duke u bërë rreth këtij procesi, drejtori i EUROSTAT-it, Pieter Everares, shpreh besimin se regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të jetë i suksesshëm.

“Nga dy regjistrimet pilot-testuese që i kemi monitoruar, pakicat nuk kanë marrë pjesë dhe e dimë arsyen pse ka ndodhur kjo”.

“Ne jemi duke punuar që ta ngremë vetëdijen e komunitetit serb që të marrë pjesë në këtë proces të rëndësishëm për të gjithë. Strategjia e regjistrimit të popullsisë 2011 fokusohet pikërisht në këtë”
, thotë Everaers.

Edhe, ministri Administratës Publike, Arsim Bajrami, thotë se procesi i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare, do të përfundojë me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

Ndërsa, sa i përket përfshirjes në këtë proces të komunitetit serb në veri të Mitrovicës, ministri Bajrami shprehet:

“Qeveria e Kosovës do të bëjë gjithçka që është e mundur, që edhe në pjesën veriore të Kosovës të fillojë procesi i regjistrimit. Ky regjistrim të konstatojë gjendjen e saktë të komunitetit serb, pasi që është një interes vital i të gjitha komuniteteve që ta pranojnë regjistrimin si proces vetanak”.


E veçanta e këtij procesi, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Ramë Manaj, është mungesa e regjistrimit të popullsisë në Kosovë qe kohë të gjatë.

“Me veprimet e parapara me strategjinë e informimit për regjistrimin e popullsisë, Qeveria e Kosovës synon të forcojë dhe të arrijë pjesëmarrjen aktive të regjistrimit të popullsisë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”
, thekson Manaj.

Në anën tjetër, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se regjistrimi i popullsisë do të jetë vulë e vendosmërisë për një jetë të përbashkët.

“Nëse ne nuk flasim së bashku për këto gjëra dhe nuk nisim iniciativa për këtë, askush nuk do të punojë për ne”.

“Është koha që të bazohemi në vetvete, në radhë të parë, pastaj me ndihmën miqve tanë të gjejmë një mënyrë të komunikimit, e cila më vonë do të jetë si shtysë e zhvillimit”
, shprehet Rashiq.

Regjistrimi do të bëjë numërimin e njerëzve të të gjitha komuniteteve dhe të regjistrojë gjendjen e tyre të punësimit, si dhe kushtet e banimit.

Parashihet edhe bashkëpunimi në mes të zyrave të statistikës në rajon, për të pasur një qasje të përbashkët dhe të standardizuar në regjistrimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit.

Operacioni monitorues ndërkombëtar do të vëzhgojë dhe sigurojë që regjistrimi i popullsisë në Kosovë të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare.

Operacioni monitorues ndërkombëtar përbëhet nga Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe Kombet e Bashkuara.

Regjistrimi i fundit i popullsisë kosovare është bërë në vitin 1981 nga pushteti i atëhershëm serb.

Ndërkaq, sipas vlerësimeve të ndryshme, thuhet se në Kosovë tashmë jetojnë rreth 2 milionë e 150 mijë banorë, pa përfshirë qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
XS
SM
MD
LG