Ndërlidhjet

logo-print

Kanada: Hapet Olimpiada, nderohet sportisti gjeorgjian


Lojërat Olimpike Dimërore në Vankuver të Kanadasë janë shpallur zyrtarisht të hapura, në një ceremoni, e cila i ishte kushtuar sportistit të Gjeorgjisë, që vdiq gjatë një stërvitjeje.

Përfaqësuesi i Gjeorgjisë në rrëshqitje me saja, Nodar Kumaritashvili, 21-vjeçar, vdiq mbrëmë, pas përplasjes së rëndë gjatë stërvitjes, disa orë para ceremonisë së hapjes së lojërave.

Gjatë parakalimit të ekipit të Gjeorgjisë në hapjen e Olimpiadës, me flamur kombëtar me shirit të zi, spektatorët e pranishëm u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje e nderuan sportistin që humbi jetën.

Raportohet se edhe shumë sportistë nga vendet e tjera bartnin shirita të zi në krah, në shenjë nderimi për kolegun e tyre gjeorgjian.

Në ceremoninë, e cila zgjati 2 orë e gjysmë, në stadiumin "British Kolumbia Plejs", ishin të pranishëm 55 mijë spektatorë. Kjo ishte hera e parë në historinë 86-vjeçare të Lojërave Olimpike Dimërore, që ceremonia e hapjes u mbajt në stadiumin e mbyllur.

Gjatë 17 ditëve të ardhshme, afro 2500 sportistë nga 82 vende do të garojnë në 15 sporte dimërore, për medalje në më tepër se 80 disiplina.
XS
SM
MD
LG