Ndërlidhjet

Njëqindetridhjetedy familje nga Podujeva, tash dhjetë vjet shtëpi të tyre kanë kontejnerët. Mbi 800 banorët e lagjes “Kuvajti”, thonë se kushtet në këta kontejnerë, ku qenë vendosur vetëm përkohësisht, janë tejet të vështira, ndërsa dimri vetëm sa përkeqëson situatën.

Këtë e dëshmon, Naile Islami, e cila me familjen e vet 9-anëtarëshe jeton në një hapësirë prej 12 metrash katrorë.

“I kam shtatë fëmijë, burrin dhe vetë, gjithsej nëntë anëtarë jetojmë me 80 euro në muaj; shumë vështirë. Ftohtë, shumë veta, edhe rryma po u ndal, ne veç të vdesim, s’na mbetet tjetër”.

“I kam dy fëmijë të vegjël në djep dhe një ditë që u ndal rryma, mendova se do të vdisnin nga të ftohtët
”, rrëfen Naile Islami.

Edhe banori tjetër i kësaj lagjeje, Hazir Haziri, pohon se jeta në barakat e ndërtuara nga llamarina, është shumë e vështirë.

Përveç problemeve të shumta, Haziri përmend edhe ndërprerjen e energjisë elektrike, që ua rëndon edhe më shumë jetën edhe ashtu të vështirë.

“Është shumë vështirë. I marr 45 euro në muaj dhe 30 ditë po më duhet të sillem me ato para; vështirë sa të duash. Këtu jemi qe 10 vjet”.

“Rrymë më shumë s’ka sesa që ka, kurse faturat vijnë, e ne s’kemi me çka t’i paguajmë. Me ato 45 euro të blej barna, të blej bukë, apo të shkoj te mjeku - nuk di nga t’i ndaj më parë”,
shprehet Haziri.

Banorët e lagjes "Kuvajti” kërkojnë strehim të sigurt. Në objektet kontejnerë, të ndërtuara nga llamarina, gjatë dimrit është tepër ftohtë, ndërsa verës është tepër nxehtë, thonë banorët.

Ilmi Tahiri, njëri nga përfaqësuesit e banorëve të lagjes, thotë:

“Këtu janë tri kategori, ajo e luftës, rastet sociale dhe ato me fëmijë jetimë. Kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë qe një dekadë të plotë jetojnë në këto kushte të mjerueshme”.

“Për gjendjen tonë e dinë të gjitha institucionet, edhe ato qendrore edhe ato lokale, mirëpo deri më tash nuk ka asgjë konkrete. Pavarësisht se, si njëri nga përfaqësuesit e banorëve, qe pesë vjet, në mënyrë të vazhdueshme, kam pasur takime edhe me zyrtarë të Qeverisë, situata mbetet e pandryshuar”
, thekson Tahiri.

Tahiri thotë se përgjegjësia kryesore lidhur me strehimin e tyre, mbetet Kuvendi Komunal i Podujevës, por, shton ai, pa mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, kjo çështje nuk mund të zgjidhet.

Ai konsideron se strehimi i tyre është problem nacional.

“Qeverisja komunale, pa mbështetjen e Qeverisë qendrore, pa mbështetjen e ministrive përkatëse, nuk ka mundësi ta zgjidhë këtë problem”.

“Qeverisja e mëparshme, para dy vitesh, pas kërkesës që e kemi bërë ne, në mënyrë të vazhdueshme ndaj udhëheqjes komunale, ka bërë një lloj projekti për zgjidhjen e çështjes së këtyre banorëve dhe e ka dërguar një kërkesë në tri ministri përkatëse, por deri më tani ajo nuk ka gjetur mbështetje”
, sqaron Tahiri.

Ndryshe, zyrtarë të komunës së Podujevës thonë se, aktualisht, nuk ka mundësi që banorët e kësaj lagjeje të sistemohen diku tjetër.

Ruzhdi Dema, shef i sektorit të strehimit në Kuvendin Komunal të Podujevës, thotë se pa përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, problemi nuk mund të zgjidhet.

“Ky është një problem shumë i gjerë, për arsye se 132 familje me 700-800 anëtarë, përbëjnë një fshat të madh dhe do një investim të madh”.

“Qendra kolektive në Podujevë dhe disa qendra të tjera kolektive nëpër Kosovë, kanë mbetur nga viti në vit dhe është e pamundur që të ketë zgjidhje për to nga pushtetet lokale
”, thekson Dema.

E, jeta tash e dhjetë vjet në kontejnerët e strehimores kolektive, është bërë e padurueshme, thonë banorët e lagjes "Kuvajtit” dhe, siç shprehen ata, i ka kaluar kufijtë e mundshëm.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG