Ndërlidhjet

Drejtësia në veri - në krizë?


Gjykata në veri të Mitrovicës
Gjykata në veri të Mitrovicës

Gjatë dy viteve në gjykatat në veri të Kosovës është marrë vendim për gjashtë raste dhe kjo, pas rifunksionalizimit të pjesshëm të atyre institucioneve në dhjetor të 2008-ës, bëjnë të ditur zyrtarë të misionit EULEX.


Përfaqësues të gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës thonë se drejtësia në veri të Kosovës është në krizë, që nga ndërprerja e punës së gjykatave dy vite më parë.

Pezullimi i punës së këtyre institucioneve ishte shkaktuar nga protestat e serbëve të atyre gjykatave disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, rifunksionalizimi i pjesshëm i tyre, me vendosjen e gjykatësve e prokurorëve të EULEX-it, në dhjetor të vitit 2008, vlerësohet i pamjaftueshëm në drejtim të sundimit të ligjit, për shkak të, siç thuhet, mungesës së punonjësve vendorë në ato gjykata.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, Kapllan Baruti, në një bisedë të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, alarmon institucionet përgjegjëse për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.

“Drejtësia e pjesës veriore të Kosovës nuk është në krizë tani, por është në krizë prej datës 20 shkurt të vitit 2008, kur neve na është ndaluar që të kryejmë funksionin tonë të rregullt”.

“Prej atëherë, në pjesën veriore është shkaktuar një vakuum juridik, i cili është tejet i dëmshëm për qytetarët e të gjitha komuniteteve”,
thotë Baruti.

Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës janë të angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë - që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX.

Zëdhënësja e këtij misioni, Kristina Herodes, bën të ditur se që nga seanca e parë gjyqësore, e udhëhequr nga paneli i gjykatësve e prokurorëve evropianë, në fillim të muajit mars, deri më tani, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë janë gjykuar gjashtë raste.

Megjithatë, ajo thekson nevojën për rikthimin e gjykatësve e prokurorëve lokalë në ato institucione.

“Për EULEX-in është shumë e rëndësishme që të kthehen gjykatësit e prokurorët shqiptarë e serbë nëpër vendet e tyre të punës. Janë diku 55 raste në pritje dhe ka të dyshuar që janë në paraburgim –madje njëri që nga viti 2007”.

“Kjo është një çështje për urgjencë dhe drejtësi. Nuk është fjala vetëm te drejtësia, por është një çështje më e gjerë, sepse njerëzit duan ta jetojnë jetën e tyre. Ata duan t’i zgjedhin problemet që kanë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për raste kriminale, por edhe për raste civile”
, thekson Herodes.

Idetë e ndryshme në lidhje me rikthimin e punonjëseve vendorë në gjykatat në veri, ishin dhënë së fundi nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të cilët propozuan që atyre gjykatësve e prokurorëve t’u ofrohet një mjet transportues për në objektet e gjykatave në veri.

Përfaqësues të këtyre gjykatave mirëpresin këtë hap, siç e quajnë ata, teknik, por thonë se problemi në këtë çështje është i natyrës politike.

Në fillim të muajit nëntor të vitit të shkuar ishte zhvilluar takimi i parë në mes të përfaqësuesve të EULEX-it dhe atyre të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë.

Por, deri më tani nuk është bërë i ditur asnjë rezultat konkret për kthimin e gjykatësve dhe prokurove vendorë në veri.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, sqaron këtë problematikë.

“EULEX-i është mision teknik, por ka çështje, në të cilat është e përfshirë politika”
, shprehet Herodes.

Përfshirja e Beogradit zyrtar në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me veriun Kosovës nuk është hedhur poshtë as nga përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare, të cilët në bashkëpunim me Qeverinë e vendit, kanë hartuar një plan, me të cilin synojnë të rikthejnë sundimin e ligjit në veri të vendit.

Baruti thekson se rifunksionalizmi i tërësishëm i gjykatave në veri të Mitrovicës, duhet të jetë hapi primar në jetësimin e këtij plani.

“Nëse nuk ndodh pikërisht kjo, atëherë e gjithë strategjia do të dështojë”
, thotë Baruti.
XS
SM
MD
LG