Ndërlidhjet

logo-print

LDD: Koalicion me LDK-në po, bashkim jo


Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

Lidhja Demokratike e Dardanisë kërkon koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e përjashton mundësinë e bashkimit të këtyre dy partive. Në LDK, në anën tjetër, e mirëpresin ofertën e LDD-së, por më shumë parapëlqejnë bashkimin.


Në trevjetorin e themelimit të saj, Lidhja Demokratike e Dardanisë, ia ka përsëritur ftesën për koalicion parazgjedhor Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga e cila u nda në kuvendin zgjedhor të 2006-ës.

Në LDK thonë se këtë ofertë e kanë pritur me dashamirësi, por ata parapëlqejnë shkrirjen e dy partive në një.

Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, hedh poshtë tezën e bashkimit.

“Unë mendoj se kjo tezë nuk është e dashamirëve të LDD-së, as LDK-në, sepse kërkojnë që një fëmijë mirë i synuar, të lindë për tre muaj. Nuk jetojnë me realitetin, por në koncept i kanë vetëm interesat personale, materiale dhe të pozitave të caktuara”, tha Daci.

Para ftesës zyrtare që Nexhat Daci i ka bërë LDK-së, ka pasur zëra që kërkonin bashkimin, si nga njëra, ashtu edhe nga partia tjetër.

Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, dëshiron më tepër bashkimin, sesa hyrjen në një koalicion parazgjedhor me partinë, që sikurse edhe LDK-ja, thotë se është pasuese e filozofisë dhe politikës së presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Eqrem Kryeziu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Sa i përket bashkimit, unë kam qenë ithtar i saj, që të bashkohet përfundimisht në një LDK”.

“Ata, tani për tani, preferojnë të mbeten si subjekt, por të hyjnë në raporte të koalicionit si dy subjekte. Unë preferoj shkrirjen në një parti. Tash të shohim se si do të zhvillohen proceset
”, shprehet Kryeziu.

Zyrtarë të të dyja partive, nuk përjashtojnë mundësinë, që LDK dhe LDD të jenë pjesë e një blloku të ardhshëm politik që anon kah spektri i djathtë.


Sidoqoftë, deri më tash, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare LDD-së as për ofertën për koalicion parazgjedhor.

Eqrem Kryeziu shpjegon:

“Kryesia e LDK-së ende nuk ka qëndrim të saj për këtë çështje. Unë e shoh atë ofertë me dashamirësi. Natyrisht, mund të debatohet pastaj për dinamikën e modaliteteve etj. Por, kjo është çështje, për të cilën kryesia merr vendim”.


Ndërkaq, Nexhat Daci kërkon sërish nga koalicioni qeverisës shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për ta liruar, siç ka thënë, Kosovën nga vendnumërimi.

Ai kritikon qeverisjen PDK-LDK (Partia Demokratike e Kosovës- Lidhja Demokratike e Kosovës), duke e quajtur koalicion “për letra”. Kështu që, sipas tij, zgjedhjet e reja do ta shpëtonin vendin.

Kjo ide, edhe e ka shtyrë që të kërkojë koalicion parazgjedhor me LDK-në.

“Oferta, shkresa, që është bërë, është shumë e ndershme, serioze, pa asnjë kushtëzim, pa barrikada dhe barriera”.

“Por, ne do ta mirëkuptojmë çdo përgjigje dhe nuk jemi të frustruar as për kohën. I lëmë në liri, sepse nuk ka qenë intencë, që ta sfidojmë me poshtërsi ose me të palara”,
shprehet Daci.

Është thënë se LDK-së, ofertë për koalicion parazgjedhor i ka bërë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo parti nuk do të jetë përjashtuese për asnjë subjekt politik. Por, sipas tij, një kriter do të jetë më se i domosdoshëm.

“Në çdo koalicion të mundshëm, kriteri kryesor do të ishte se çka do të përfitonte Kosova me këto koalicione. U lodhëm më me këtë kalkulim brenda-partiak, sidomos ne që kemi përvojë më të gjatë nga partitë tjera, neve na intereson se çka përfiton Kosova”
, thekson Kryeziu.

LDK-ja në zgjedhjet e fundit lokale, megjithëse qeveris me PDK-në, kishte mu këtë parti rivale kryesore.

Madje, ky subjekt politik, në garën për kryetar komune, pati bërë koalicione edhe me subjekte opozitare, si me AAK-në, veprim ky, që kishte tronditur për një natë koalicionin, meqë PDK-ja kishte deklaruar se përjashton partneren e tij nga qeverisja.

Megjithatë, jeta e koalicionit PDK-LDK vazhdoi, ndërsa, liderët e dy partive, e shohin si të kaluar krizën që desh çoi në prishjen e koalicionit.
XS
SM
MD
LG