Ndërlidhjet

Shpresat për rritje pagash - të vogla


Punëtorët shëndetësorë nuk besojnë shumë se në muajin mars, pagat e tyre do t’i marrin me 30 për qind rritje, thonë përfaqësues të Sindikatës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ky mosbesim, sipas tyre, është pasojë e vendimit të djeshëm, kur Qeveria hoqi nga rendi i ditës propozim- vendimin për rritje pagash.


Shpresat për rritje të pagave, siç duket, janë zbehur për sindikalistët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë në lidhje me këtë çështje.

Në mbledhjen e fundit ekzekutivi kosovar hoqi nga rendi i ditës propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për rritje pagash për 30 për qind dhe marrjen e shtesave të kërkuara qysh në vitin 2008, prej 44 eurosh në muaj për mantel-bardhët.

Ky propozim - vendim për rritje pagash ishte marrë pas një proteste të mbajtur nga punëtorët e shëndetësisë.

Blerim Syla, anëtar i Sindikatës së QKUK-së, thotë se ky veprim tregon jo seriozitetin e Qeverisë ndaj punëtorëve shëndetësorë.

“Ata kanë qenë joserioz në qasjen ndaj shëndetësisë. Siç duket, edhe takimi i fundit është joserioz. Menjëherë kanë dalë me deklarata të tjera nga ajo që është zotuar kryeministri në takim me ne”.

“Kështu që nuk presim shumë, sepse zotimet janë zotime dhe ato mund të ndryshohen në çdo moment. Ju e dini se si i janë qasur ata shëndetësisë”,
thotë Syla.

Por, Asllan Bajrami, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, duke mos dashur të komentojë atë çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Qeverisë, thotë se punëtorët shëndetësorë do të presin fundin e muajit shkurt, dhe nëse pagat nuk i marrin me ngritje, atëherë, thotë ai, federata sindikale do të aplikojë presionin sindikal.

“Do të presim deri më një mars, kur edhe dalin pagat. Sigurisht, që punëtorët do të shprehin mllefin në mënyrë të organizuar me rregulla sindikale; greva, protesta të kombinuara, sepse është një mashtrim i dalë tej mase”
, thekson Asllani.

Në anën tjetër, Blerim Syla thotë se ekzekutivi i vendit po luan me punëtorët shëndetësorë.

“Gjithsesi që është duke u bërë, jo vetëm me punëtorët shëndetësorë, por edhe me të sëmurët, me popullatën. Ngase në momentin kur punëtorët janë të shqetësuar për mbijetesën e vet, normalisht se ata nuk kanë mundësi të zhvillojnë aktivitetin e vet. E, kush po e pëson këtu? Fukaraja dhe populli ynë”,
pohon Syla.

Ndryshe, para tri ditësh, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, kishte dërguar në Qeveri propozim- vendimin për ngritje të pagave për mantel-bardhët për 30 për qind.

Ky vendim pret nënshkrimin e kryeministrit. Por, të premten, me kërkesë të vetë kryeministrit, kjo çështje është hequr nga rendi i ditës. Me këtë rast, kryeministri nuk ka mohuar rritjen e pagave, por ka thënë se dialogu për këtë çështje, si dhe çështjet tjera të ngjashme do të vazhdojë.
XS
SM
MD
LG