Ndërlidhjet

Vendimi për përjashtimin e mundësisë së privatizimit të kompleksit industrial “Trepça”, është vlerësuar i drejtë nga ana e zyrtarëve të kompanisë, kjo për faktin që, siç thonë ata, kompania aktualisht është duke punuar mirë. Megjithatë, ekspertë të elektro-energjetikës vlerësojnë se kapacitetet financiare të Kosovës janë shumë të vogla për rimëkëmbjen e gjigantit metalurgjik të Kosovës.


Autoritetet kosovare kanë formuar një grup të ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, që do t’i analizojnë të gjitha mundësitë që miniera “Trepça”, të ristrukturohet dhe të jetë sa më e qëndrueshme dhe të mos privatizohet.

Zëdhënësi i kompanisë “Trepça”, Bislim Muçaj, thotë se menaxhmenti mirëpret vendimin e autoriteteve kosovare për mosprivatizimin e ndërmarrjes, meqë pas krizës ekonomike globale, ka pasur zhvillime pozitive.

“Për shkak se aktualisht gjiganti ‘Trepça’ është duke u këndellur, ka përmirësime të mëdha në fushën e minierave dhe të gjithë ndërmarrjes, është një trend pozitiv i ecjes përpara, prandaj është e hershme çështja e privatizimit”,
thotë Muçaj.

Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë. Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale.

Nga minierat, xehja e plumb-zinkut përpunohet deri në koncentrat, që më pas shitet në tregun evropian.

Kompania “Trepça” është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Zëdhënësja e AKP-së, Arta Gosalci, thotë se Trepça nuk është në listën e privatizimit të ndërmarrjeve, të cilat do të privatizohen gjatë këtij viti.

“Nuk parashihet të ketë privatizim të Trepçës në këtë vit, ndërsa për kriteret dhe procedurat e mëtutjeshme të këtij gjiganti metalurgjik të Kosovës, do të vendoset në të ardhmen”,
shprehet Gosalci.

Një ndër problemet kryesore që thuhet se po e mban peng kombinatin “Trepça”, në aspektin e zhvillimit dhe atë të privatizimit, është borxhi i krijuar që në vitet ‘90, kur ky kompleks menaxhohej nga pushteti serb.

Ekspertja e energjetikës, Fllanza Hoxha, vlerëson se Kosova ka resurse nëntokësore dhe shfrytëzimi i këtyre resurseve minerale është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Megjithatë, Hoxha thekson se duhet të bëhen investime në këtë ndërmarrje, në mënyrë që kjo të rimëkëmbet.

“Kapacitetet financiare të Kosovës janë shumë të vogla për ta rimëkëmbur Trepçën. Kjo duhet të punohet me një kujdes shumë të madh, dhe me një investim privato-publik, mund të rimëkëmbët
”, thekson Hoxha.

Kundër privatizimit të gjigantëve publikë, në veçanti të kompleksit industrial “Trepça”, janë edhe Përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, të cilët në vazhdimësi kërkojnë nga institucionet që të mos e fusin në privatizim këtë ndërmarrje

Kombinati “Trepça”, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës, para viteve ’90, ka pasur 25 mijë punëtorë, ndërkaq tash numëron rreth 2,000 punëtorë aktivë.

Ndërkaq, që më shumë se 6,300 punëtorë tashmë marrin pensione të parakohshme nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG