Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës po përmbyll marrëveshjet për riatdhesim me të gjitha vendet e BE-së. Riatdhesimi i kosovarëve me status të parregulluar në vendet perëndimore, është ndër kushtet bazë për liberalizim të vizave.


Kosova ka nënshkruar marrëveshjet për riatdhesim me Francën, Belgjikën dhe Zvicrën. Në proces e sipër janë të tjera marrëveshje me shtetet evropiane, ku janë të strehuar qindra mijëra kosovarë.

Riatdhesimi nga ana e autoriteteve kosovare, është i pranueshëm, meqë shihet si një nga hapat kryesor drejt liberalizimit të vizave.

Artan Duraku, nga Ministria e Punëve të Brendshme, shpjegon:

“Në procesin e liberalizimit, kriteri kryesor është riatdhesimi dhe kjo nënkupton se duhet të nënshkruhen marrëveshjet e riatdhesimit me gati të gjitha shtetet e BE-së, me ato që na kanë njohur”.

“Ndërsa, me ato që nuk na kanë njohur, jemi duke e përgatitur rregulloren e brendshme ligjore dhe është duke u bërë gati ligji për riatdhesim. Pritet së shpejti të nënshkruhen marrëveshjet me Gjermaninë, Suedinë, Danimarkën dhe Norvegjinë”.


Riatdhesimi nënkupton kthimin me vullnet, apo të detyrueshëm, të shtetasve kosovarë nga vendet përkatëse.

Derisa autoritetet e shohin këtë si një hap më afër liberalizimit të vizave, organizatat për të drejtat e njeriut ngrenë zërin se me këtë veprim po shkelen të drejtat e njeriut.

Ka qenë vetë komisionari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Tomas Hamarberg, ai që ka kërkuar nga BE-ja, që të mos i bëjë presion Prishtinës për të pranuar fluks të madh të azilkërkuesve.

“Kam qenë i shqetësuar në lidhje me këto zhvillime, dhe nga bisedat që pata në Kosovë, vetëm sa më është përforcuar ky shqetësim. Ne kemi një situatë ku brenda Kosovës ende janë rreth 20 mijë të zhvendosur, të cilët ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre”.

“Kemi krizë në të dy kampet në veri. Kemi një papunësi në shkallë prej 50 për qind. Nuk është koha për një kthim të tillë”
, ka thënë gjatë një vizite që i ka bërë Kosovës, Tomas Hamarberg.

Në të njëjtën frymë shprehen edhe aktivistët kosovarë për të drejtat e njeriut.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se marrëveshjet kryesisht janë të imponuara, ndërsa Kosova nuk ka kushte për t’i pranuar shtetasit e saj.

“Kosova me gjendje të rëndë ekonomike-sociale, me një pa-perspektivë, me mungesë të një strategjie për hapjen e vendeve të reja të punës, nuk ka kurrfarë kapaciteti për të pranuar numër kaq të madh refugjatësh, ngase ka probleme me vetë qytetarët e saj që janë këtu”.

“Ne vlerësojmë se është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ngase nga një situatë, ku e kanë të siguruar një ekzistencë, qoftë ajo minimale, po i sjellin në një situatë ku nuk kanë të siguruar asgjë ”,
thekson Shala.

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila i nënshkruan marrëveshjet, nuk i merr parasysh rrethanat se ku do të kthehen refugjatët.

Artan Duraku thotë se puna e tyre është që të vërtetojnë se personi që do kthehet, është shtetas kosovar.

“Ne verifikojmë shtetësinë e të kthyerve dhe nëse vërtetojmë se ai person që do të kthehet, është shtetas i Kosovës, atëherë e japim dritën e gjelbër”.

“Ndërkohë, vepron Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale dhe pushteti lokal. Ky proces është duke vazhduar me vite të tëra. Deri më tash nuk kemi hasur në vështirësi të mëdha dhe besojmë se do të vazhdojmë me ritëm të njëjtë”
, thotë Duraku.

Duraku shpjegon se çdo vit pranojnë rreth tre mijë persona, të cilët kthehen pa vullnetin e tyre nga shtetet evropiane.

Eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Avni Mazreku, thotë se procesi i riatdhesimit dhe ai i liberalizimit bien ndesh me njëri-tjetrin.

Por, sipas tij, nëse Kosova do të shkojë përpara në procesin e regjimit të lirë të vizave, nuk bën pa marrëveshjet për riatdhesim.

“Normalisht që dikush nga ky kontingjent i madh i njerëzve që jetojnë jashtë vendit, do të duhej të rregullonte statusin e tij legal. Pa rregullimin e këtij statusi, asnjë qeveri nuk mund t’i qaset rregullimit të pozitës së tyre”.

“Prandaj, normalisht që për ne, si kosovarë, për ekonominë më të varfër evropiane, kjo çështje ka pasoja të këtilla, mirëpo është nevojë e domosdoshme, që të rregullohet ky status”,
vlerëson Mazreku.

Por, aktivistët për të drejtat e njeriut alarmojnë se ata të kthyer, që nuk mund të integrohen në shoqërinë kosovare, do të kërkojnë sërish rrugë për të dalë jashtë vendit, qoftë edhe në mënyrë ilegale.

Ata apostrofojnë si shembull negativ, rastin tragjik në lumin “Tisa”, ku disa kosovarë humbën jetën në lumë, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin Serbi - Hungari.
XS
SM
MD
LG