Ndërlidhjet

Kërkesa për presion evropian ndaj Serbisë


Përfaqësues të Serbisë shprehin gatishmërinë që të bashkëpunojnë në fusha të caktuara me Kosovën, por thonë se nuk e kanë ndërmend ta njohin atë si shtet. Kjo qasje, sipas analistëve politikë, në aspektin afatgjatë mund t’i dëmtojë interesat e të dyja palëve dhe mund ta destabilizojë rajonin. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kërkojnë rritjen e presionit politik të Bashkimit Evropian ndaj Beogradit në mënyrë që të rishqyrtohet qasja ndaj Kosovës.


Thirrjet e institucioneve ndërkombëtare për rritjen e bashkëpunimit në mes të Serbisë dhe Kosovës, vazhdojnë të mbesin kërkesa, të cilat, në praktikë, duket se nuk po gjejnë modusin adekuat për zbatim.

Pavarësisht gatishmërisë së Prishtinës zyrtare për themelimin e raporteve me shtetin serb, në cilësinë e dy shteteve të pavarura, deklaratat e përfaqësuesve të Serbisë vënë në pah këmbënguljen e këtij shteti për të mos e ndryshuar qëndrimin refuzues karshi shtetësisë së Kosovës.

Qëllim i përbashkët i të dy shteteve është integrimi në Bashkimin Evropian, por hapat që duhet të ndërmerren për të arritur këtë cak, vlerësohen në mënyra të ndryshme nga të dyja palët.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thekson nevojën për rritjen e presionit politik të Brukselit ndaj Serbisë që të ndryshohet qasja, siç thotë ajo, destruktive e Serbisë ndaj Kosovës.

“Ne bëjmë apel te Bashkimi Evropian që të mos e lejojë Beogradin të luajë një rol të dyfishtë. Beogradi nuk mund të ketë qasje evropiane ndaj Brukselit dhe qasje anti-evropiane ndaj Kosovës”.

“Ne nuk mund të kuptojmë mungesën totale të bashkëpunimit dhe hapat destruktiv, posaçërisht në integrimin e komunitetit serb në Kosovë”
, shprehet Citaku.

Synimi i BE-së që, përmes stimujve politikë, siç është heqja e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian për qytetarët serbë, të nxitet ndryshimi i qëndrimit të Serbisë karshi Kosovës, sipas njohësve të politikave evropiane, nuk është realizuar.

Analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, thotë se janë zbehur shpresat për përmirësime dhe se është rritur zhgënjimi i një pjese të madhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në lidhje me qëndrimin e Beogradit ndaj Prishtinës zyrtare.

Knaus, megjithatë, hedh poshtë mundësinë që njohja e pavarësisë së Kosovës të bëhet kusht për integrimin e Serbisë në BE.

“Nuk mendoj se mund të presim kushte në këtë aspekt. Fillimisht nuk ka konsensus evropian në çështjen e Kosovës. Kushtet që do të vendoseshin nga mbarë Bashkimin Evropian janë një propozime që nuk ka gjasa të pranohen”.

“Por, mendoj se ajo që mund të presim është rritja e shkallës së presionit. Veprimet e fundit të grupit të shteteve të Kuint-it e kanë dëshmuar këtë gjë”,
thekson Knaus.

Mirëpo, përfaqësues të institucioneve të Serbisë thonë se pakënaqësitë e BE-së për diplomacinë serbe ndaj Kosovës vijnë vetëm nga 22 shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, shpreh gatishmërinë e shtetit serb për vënien e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, por hedh poshtë mundësinë që përmes bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme, të zbatohet e praktika e njohjes në heshtje të pavarësisë së këtij vendi.

“Serbia është kritikuar më së shumti nga ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe këto shtete janë të befasuara, në njëfarë mënyre, që Serbia nuk po e pranon të ashtuquajturin realitet të ri”.

“Serbia nuk mund ta pranojë këtë realitet dhe Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta ndryshojë mendjen ndaj Kosovës”
, thotë Ivanoviq.

Një shembull aktual që thuhet se pengon zhvillimin e vendit për shkak të kundërshtimit serb ndaj shtetësisë së Kosovës, vlerësohet të jetë situata aktuale në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore – CEFTA, ku gjatë këtij viti, Serbia udhëheq presidencën e radhës.
XS
SM
MD
LG