Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë shfaqin druajtje nga dukuria e akulturimit në Kosovë. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me çështjen se a është duke ndodhur kjo dukuri, apo janë vetëm tendenca për një gjë të tillë.





Tash e disa vite, përfaqësues nga komuniteti i artistëve dhe nga shtresat intelektuale në Kosovë, kanë tërhequr vërejtjen nga rreziku i akulturimit, duke thënë se ekzistojnë tendenca për një gjë të tillë.

Disa prej tyre vlerësojnë se ekzistojnë shenja se fenomeni i akulturimit tashmë është duke u zhvilluar, ndërkohë që ka mendime që e kundërshtojnë këtë, por nuk mohojnë se ka tendenca që çojnë drejt akulturimit.

Agim Sopi, regjisor, shpreh mendimin se fenomeni i akulturimit po ndodh në Kosovë.

“Akulturimi, ose stadi më i lartë i shpëlarjes së trurit, do të thotë, para së gjithash, zhveshje nga identiteti shpirtëror, që të mos kesh nevojë të dëgjosh tingull më të bukur se sa zhurma e neveritshme e rrëmujës së përditshme, të mos kesh nevojë të shohësh pamje më të bukur se ngjyra e hirtë e asfaltit, që të mos kesh nevojë të lexosh më tepër se intrigat bulevardeske të shtypit të ditës”.

“Thjesht, të mos kesh nevojë për fisnikërimin e shpirtit dhe mendjes, por të udhëhiqesh nga instinktet që në kufijtë e skajshëm të barazojnë me shtazën. Faktikisht dhe fatkeqësisht kjo po ndodh”
, thotë Sopi.

Por, mendim tjetër ka dramaturgu dhe publicisti Haqif Mulliqi.

Sipas tij, nuk mund të thuhet se Kosova i është nënshtruar akulturimit, por ai nuk përjashton mundësinë e ekzistimit të tendencave për një gjë të tillë.

“Nuk do të thotë se nuk kanë ekzistuar tendenca të tilla për të interferuar në jetën e përditshme, në jetën kulturore. Antivlerat, si një tendencë për akulturim të shoqërisë, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë”
, thekson Mulliqi.

Dramaturgu Mulliqi shton se Kosova pas luftës ka bërë përpjekje të konsiderueshme për krijimin e institucioneve kulminante të kulturës, madje edhe të tilla që më parë nuk kanë ekzistuar.

“Nuk duhet harruar që janë bërë edhe institucione, siç është Filharmonia e Kosovës, orkestra të tjera kamertale, apo dhe grupe të tjera muzikore”.

“Në esencë, ekzistojnë tri shkolla të mesme të baletit, janë bërë 5 apo 6 teatro të shtetit, të cilat nuk i kemi pasur asnjëherë. Ka tendenca të mirëfillta edhe në film. Kosova nuk ka pasur kurrë më shumë filma artistikë, të metrazhit të shkurtër, siç ka sot”
, shpjegon Mulliqi.

Ndërkaq, regjisori Sopi thotë se ndryshe nga vitet 70-të dhe 80-të shekullit të kaluar, kur Kosova kishte krijimtari artistike dhe vlera kulturore, me të cilat komunikonte me botën, sot ajo një komunikim të tillë nuk mund ta bëjë.

Institucionet kulturore, sipas tij, me ose pa vetëdije, kanë zbatuar, siç i quan ai, politikat e buta të denigrimit kombëtar, të cilat, sipas tij, ishin filluar nga pushteti serb në fundshekullin e kaluar.

Ai thekson se politikat e tilla ishin vazhduar edhe nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me rikrijimin e institucioneve formale.

“Dhe, për të qenë ende më trishtuese, e gjithë kjo, edhe pas shpalljes së pavarësisë, institucionet formale që i kishte krijuar UNMIK-u, vazhdojnë të jenë si të tilla dhe në vend që të ngrenë identitetin kulturor dhe shpirtëror të Kosovës, ato e akulturizojnë atë; institucione të amatorizuara deri në skaj”.

“Dhe tash, fatkeqësisht ne s’kemi asgjë. Ne jemi një moçal vetëkënaqësie, në një ujë amull që nuk lëviz fare”
, shprehet Sopi.

Lidhur me gjendjen e krijuar, sipas regjisorit Sopi, përgjegjëse janë shumë segmente të shoqërisë kosovare.

“Përgjegjësia është e të gjithëve, padyshim. Por, përgjegjësinë kryesore e bart elita politike dhe, padyshim, që një pjesë të madhe të përgjegjësisë e ka edhe e gjithë inteligjenca e Kosovës; e ka universiteti, Akademia e Shkencave dhe të gjithë krijuesit, veç e veç”
, vlerëson Sopi.

Ndërkaq, dramaturgu Mulliqi konsideron se përkrahja institucionale e artistëve, do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të vendit përmes, siç shprehet ai, diplomacisë artistike.

“Nuk është shumë e lehtë kjo punë, sepse ka shumë pak fonde, ka shumë pak lekë. Derisa institucionet tona nuk e kuptojnë se është shumë, shumë e rëndësishme që grupet e ndryshme të artistëve, të të gjitha profileve, të lëvizin nëpër botë, ta bëjnë prezantimin e vendit tonë atje dhe të bëjnë një lloj diplomacie artistike jashtë vendit tonë, ne do ta kemi shumë vështirë që ta rregullojmë krejtësisht imazhin”,
përfundon dramaturgu Mulliqi.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG