Ndërlidhjet

Afganistan: Ofensivë partneriteti

  • RFE /RL

Ushtarët e NATO-s në provincën Helmand

Ushtarët e NATO-s në provincën Helmand

Ofensiva e NATO-s në Afganistan, në të cilën po marrin pjesë më se 15 mijë trupa amerikane, britanike dhe afgane, ka hyrë në ditën e tretë. Komandanti i forcave amerikane dhe i atyre të NATO-s, Stenli Mekkristël, ka thënë se ky është një operacion i udhëhequr nga afganët, që e thekson partneritetin e zhvilluar.


Raportimet nga Afganistani kanë bërë të ditur se mijëra trupa ushtarake të forcave aleate në bashkëpunim me ato afgane, po përpiqen t’i konsolidojnë arritjet e deritashme në ofensivën më të madhe të ndërmarrë ndonjëherë kundër talibanëve në provincën jugore të Helmandit.

Më shumë se 15 mijë trupa nga SHBA-të, Britania, Afganistani dhe vendet e tjera, kanë hyrë në qytetin Marxhah dhe në zonat fqinje të qarkut Nad Ali.

Operacioni i quajtur “Moshtarak”, që do të thotë “Së bashku”, është përshkruar si ofensiva më e madhe e forcave të NATO-s, pas rrëzimit të regjimit të talibanëve më 2001 nga forcat aleate të udhëhequra nga Shtet e Bashkuara të Amerikës.

Ky sulm ka për qëllim rrëzimin e bazës më të fortë të talebanëve, që mbetet pjesa jugore e Afganistanit.

Në një konferencë për shtyp në Lashkar-Gah, komandanti amerikan i NATO-s dhe i trupave Shteteve të Bashkuara në Afganistan, gjenerali Stanli Mekcristal, ka deklaruar:

“Gjëja e parë që dua të them është se kur presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ra dakord me nisjen e ofensivës, ai na dha edhe udhëzime specifike, që kanë të bëjnë me vazhdimësinë e mbrojtjes së popullit afgan”.

“Dhe, ky operacion është bërë duke e pasur këtë gjë në mendje. Nga ana tjetër, ky është operacion i drejtuar nga forcat afgane dhe mendoj se kjo thekson partneritetin tepër të veçantë, për të cilin unë jam krenar”.


Nga ana tjetër, komandanti britanik i një regjimenti të tankeve, majori Majk Teilor, ka thënë se kjo skuadër operon edhe në një prej zonave ku ndodhen talibanët.

“Për të qenë i hapur, ne prisnim që armiku të merrte më shumë veprime. Fillimisht, të mposhtur nga ofensiva, ata janë përzier me popullsinë civile për të kuptuar se deri ku shkon shtrirja e forcave të NATO-s”
, ka theksuar majori britanik Majk Teilor.

Guvernatori i provincës së Helmandit, Gulab Mangal, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga kjo ofensivë do të përfitojnë banorët lokalë, ashtu siç ka ndodhur në operacionet e mëparshme të bëra në këtë provincë.

“Pas operacioneve në Garmsair, Naua, në zonat e Nadalit dhe të Nauzadit, njerëzve do t’u jepet një mundësi e gjerë punësimi. E njëjta gjë do të ndodhë në Marxhah, pasi një pjesë e mirë e forcave ushtarake do të mbeten atje për të krijuar siguri dhe stabilitet”.

“Qëllimi është që të shmangim ndonjë përpjekje të armikut për t’i keqtrajtuar njerëzit tanë atje”,
ka sqaruar guvernatori i provincës së Helmandit, Gulap Mangal.

Zyrtarët ushtarakë kanë raportuar se pjesëtarët e Marinës amerikane dhe ushtarët afganë, e kanë okupuar pjesën më të madhe të Marxhahut, por të shtënat me armë nga ana e militantëve vazhdojnë.

Ushtarët kanë avancuar gradualisht, duke kontrolluar shtëpi më shtëpi me qëllim çaktivizimin e minave dhe bombave.

Komandanti i Marinës në pjesën jugore të Afganistanit, gjenerali Larry Nikolson, ka thënë se pastrimi i zonës nga bombat dhe minat mund të zgjasë të paktën 30 ditë.

Nga Londra, gjeneralmajori Gordon Mesenxher ka thënë se, “forcat britanike me sukses e kanë siguruar zonën, ushtarakisht”, me përjashtim të disa rezistencave sporadike nga ana e talibanëve.

Zëdhënësi i talibanëve, Qari Jusef Ahmadi, ka shpjeguar se rebelët ende po rezistojnë në Marxhah dhe se ata po përdorin taktikën, goditje dhe ikje.

Ndërsa, një komandant i talibanëve, i quajtur Mullah Abdul, e ka cilësuar ofensivën e aleancës si spekulim për njerëzit.

Vlerësohet se në Marxhah që njihet si qendra e aktivitetit të talibanëve dhe e prodhimit të opiumit, ndodhen 400-1000 forca të militantëve.

Atëherë kur Marxhahu dhe provincat përreth të jenë të sigurta, NATO-ja shpreson që shumë shpejt të ndihmojë dhe të mbështesë shërbimet publike në përpjekje për të fituar mbështetjen e rreth 125 mijë njerëzve, që jetojnë në qytet dhe në fshatrat përreth.

Aleanca ka deklaruar se deri më tani ka pasur takime me kuvendin e pleqve, me qëllim që NATO të marrë mbështetjen e banorëve lokalë.

Megjithatë, Haxhi Kamal, një qytetar i Marxhahut, i cili është larguar para fillimit të ofensivës dhe që ndodhet në Lashkar-Gah, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën.

“Ne erdhëm këtu nga Marxhah dhe, siç e shihni, jetojmë në kushte të tmerrshme. Vendi ku u strehuam është shkatërruar krejtësisht dhe tashmë ne po përballemi me shume probleme”,
ka thënë Haxhi Kamali, një prej të zhvendosurve nga zona e Marxhahut.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 900 familje janë larguar nga Marxhahu dhe janë regjistruar për asistencë emergjente në Lashkar-Gah. (A.Ç)
XS
SM
MD
LG