Ndërlidhjet

Pasaportat biometrike


Autoritetet kosovare kanë thënë se nga gjysma e këtij viti do të fillojë procesi i dhënies së pasaportave biometrike, por ende nuk është përcaktuar data e saktë. Por, njohës të integrimeve evropiane janë shprehur skeptikë se do të mund të prodhohen deri atëherë pasaportat biometrike.




Ende nuk është përcaktuar data e saktë se kur do të fillojë procesi i dhënies së pasaportave biometrike.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ritheksuar se këto pasaporta, që paraqesin edhe një nga parakushtet për liberalizim vizash, pritet të jepen kah mesi i këtij viti.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, ka thënë se aktualisht janë në proces të marrjes së të dhënave për pasaporta dhe letërnjoftime nëpër qendrat komunale.

“Ne besojmë se nga mesi i këtij viti, do të arrijmë t’i lëshojmë pasaportat e para biometrike. Por, një gjë që duhet ta kemi parasysh, është të sigurohemi që procesi të jetë i sigurt dhe tërë këtë proces jemi duke e koordinuar dhe me Komisionin Evropian në Prishtinë”.

“Do të kemi një ekip të Komisionit Evropian, i cili do të vijë dhe do të shikojë se sa janë bërë përgatitje për këtë proces, në mënyrë që pastaj të marrim dritën e gjelbër edhe nga ana e Komisionit Evropian për lëshimin e pasaportave biometrike”
, ka deklaruar Rexhepi.

Përgjegjësia për nisjen e procesit të dhënies së pasaportave biometrike bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Megjithatë, para këtij veprimi, sipas Rexhepit, ka ende shumë punë që duhet të kryhen edhe nga institucionet tjera.

“Varet se sa shpejt do të arrijmë ta procedojmë legjislacionin në Qeveri dhe në Parlament, i cili duhet të miratohet. Po ashtu, një aspekt tjetër është se sa shpejt do të arrijmë t’i pranojmë ndryshimet teknologjike, të cilat po bëhen në sistem. Ndërrimi i pasaportës do të bëhet pasi të jenë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme”,
ka theksuar Rexhepi.

Në anën tjetër, njohës të integrimeve evropiane, janë shprehur skeptikë se Kosova do të mund të nisë prodhimin e pasaportave biometrike në mesin e këtij viti.

Fatmir Curri ka përmendur një sërë procedurash që duhet ndjekur, ndërsa periudha deri në mesin e këtij viti, ka thënë ai, është e shkurtër.

“Mendoj që po, nëse ka gatishmëri administrative, nëse është bërë alokimi i buxhetit. Mirëpo, janë edhe një sërë procedurash kontrakuale, sepse duhet të bëhet tenderimi i tyre dhe është një kosto shumë e madhe. Atëherë, mendoj që do të marrë më shumë kohë se sa mesi i këtij viti”
, ka thënë Curri.

Curri ka theksuar se Komisioni Evropian i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të bëhet përcjellja e ligjeve, që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave në Kuvend.

Miratimi i tyre, sipas tij, do të marrë kohë. Por, përveç kësaj, Curri ka përmenduar edhe disa çështje të tjera, të cialt duhet të sqarohen në lidhje me fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike

“Këtu ka hapësirë për shumë interpretime - e para. E dyta - nuk jam shumë i sigurt nëse është bërë alokimi financiar, siç parashihet në planin e veprimit për implementimin e udhërrëfyesin, ku thuhet se ky proces do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 10 milionë euro”.

“Dhe, e treta - ende nuk i kemi parë, pra nuk janë publike, rekomandimet e një grupi studiuesish që kanë bërë për fizibilitetin e këtyre pasaportave biometrike”,
ka shpjeguar Curri.

Përveç pasaportave biometrike, në procesin e liberalizimit hyjnë edhe kriteret tjera, si: menaxhimi i integruar i kufijve, riatdhesimi, zbatimi i strategjisë për migracion, forcimi i sundimit të ligjit etj.

Megjithatë, vetë zyrtarë të lartë evropianë kanë thënë se Kosova, edhe nëse i përmbushë kriteret teknike, sërish do të ketë probleme politike, për shkak të mosnjohjes nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së.

Për shkak të mosnjohjes, Kosova ende nuk i ka hapur zyrtarisht negociatat për liberalizim vizash.

Autoritetet kanë miratuar njëanshëm një udhërrëfyes të ngjashëm me vendet e rajonit, në mënyrë që t’i kenë të përmbushura kriteret, atëherë kur të krijohen rrethanat për dialog për vizat me BE-në.
XS
SM
MD
LG