Ndërlidhjet

Ndonëse kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet nga mbarimi i luftës, mjetet e pashpërthyera ende paraqesin rrezik për qytetarët. Familjarët e viktimave të minave apelojnë tek autoritetet vendore e ndërkombëtare të bëjnë më shumë në këtë drejtim.





Pas luftës Kosova ka trashëguar fusha të shumta të minuara. Ndonëse pak të vërejtshëm, përreth rrugës që të çonte për në Gremnik të Klinës, nuk mungonin shiritat rekomandues për kujdes nga minat në zonat e identifikuara dhe të shenjuara.

Por, rrezik për banorët mbeten zonat e paidentifikuara nga minat e pashpërthyera, siç është rasti me fshatin Gremnik, që gjendet në magjistralen Prishtinë - Pejë - një fshat me një numër të konsiderueshëm të shtëpive dhe banorëve.

Lajmi për vdekjen e tre fëmijëve dhe plagosjen rëndë të një fëmije tjetër nga minat në fshatin Gremnik të Klinës, më 2005-ën tronditi tërë Kosovën.

Ky skenar tragjik ka gjasa të përsëritet sërish, pesë vjet nga tragjedia e Gremnikut, nëse kihet parasysh rreziku nga fushat e minuara dhe mjetet ende të pashpërthyera.

Familja e Leutrim Gashit, 14-vjeçarit, i cili ishte në mesin e tre fëmijëve që humbën jetën nga mjetet e pashpërthyera, jeton ende në këtë fshat.

Familjarët rrëfejnë ngjarjen tragjike, e cila kishte ndodhur atëkohë.

Korrespondentja e Radios Evropa e Lirë në familjen e Leutrimit

Abdullah Gashi, 47-vjeçar, e mban të gjallë kujtimin e humbjes së djalit nga minat e vendosura në afërsi të shtëpisë së tij.

“Atë ditë kur ka ndodhur kjo tragjedi, kam qenë në punë. Më ka njoftuar djali im, Argjenti, dhe më ka thënë se ka ndodhur diçka. Erdha në shtëpi dhe e pyeta gruan se çfarë ka ndodhur. Ajo nuk e dinte...” .

“Shkova që të shija se çfarë kishte ndodhur, po nuk kisha çfarë të shihja. Nga ajo çfarë kam parë aty, jam lutur të mos më shpëtojë djali... ka qenë i ndarë në dysh...
”, rrëfen babai i Leutrimit, Abdullah Gashi.

Vendi ku ka shpërthyer ai mjet, ishte vetëm 100 metra larg nga shtëpia ku jeton familja Gashi. Nëna e Leutrimit, Taibja, thotë se askush nuk e kishte menduar se aty mund të kishte mina.

“Zonat e banuara është dashur të kontrollohen, nëse jo në malet e Malishganit. Ne këtu e kemi pasur oborrin. Përtej oborrit, përtej shtëpisë nuk kemi ku të shkojmë”
, shprehet Taibja.

Taibja thotë se nuk e fajëson askënd për ngjarjen që ka ndodhur në familjen Gashi, por kjo gjë, sipas saj, do të mund të parandalohej me pastrimin e fushave nga minat.

Ndërsa, Shqipdoni, djali që i kishte shpëtuar kësaj fatkeqësie, sipas familjarëve, edhe pas shumë intervenimeve kirurgjike, nuk ndihet mirë dhe ka probleme të shumta shëndetësore.

Për më tepër, ai nuk është në gjendje të flasë për atë që ka kaluar.

Por, se a kanë qenë të informuar për rrezikun nga minat, motra e Leutrimit, Arbënorja, rrëfen:

“Na kanë informuar në shkolla, sidomos KFOR-i. Na kanë sjellë fletushka, na kanë treguar, po ne nuk e kemi ditur se këtu afër mund të kërcënohemi nga minat”.


Në të ashtuquajturat Malet e Malishganit në Klinë, ku kishte humbur jetën edhe një person që merrej me deminimin, thuhet se ka ende mina, të cilat janë vënë nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit.

Sipas Ahmet Gashit, banori i Greminkut, ato territore mbesin të pavizituara nga fshatarët e kësaj ane, pikërisht për shkak të frikës se mund të hasin në mjete të pashpërthyera.

Gashi thotë se ka territore ku janë identifikuar se ka mina, por ka edhe të tjera, të cilat nuk kanë shenja identifikuese.
Shtëpia e familjes së Leutrimit të vrarë ndodhet vetëm pak metra nga fusha e minuar



“Në vendin ku ka ndodhur kjo fatkeqësi, askush nuk e kishte besuar se mund të ketë mina, pasi që aty për tri vjet të tëra i kanë kullotur bagëtinë”.

“Por, ka ndodhur dhe tash të gjithë i frikohen atij vendi. Ka qenë fatkeqësi e madhe për fshatin tonë. Rast shumë i rëndë”
, tregon Gashi.





Që nga mbarimi i luftës, krahas punës që KFOR-i dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës kanë bërë për pastrimin e terrenit nga minat dhe mjetet e tjera shpërthyese, në Kosovë janë organizuar dhe programe të ndryshme për vetëdijesimin e njerëzve, për rrezikun që paraqesin këto mjete plasëse.

Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë, Enver Dugolli, thotë se pas 11 vjetësh të luftës, fushat e minuara kryesisht janë të identifikuara, por ka raste që qytetarët njoftojnë për fusha të tjera të minuara.

“Në fund të marsit dhe fillim të prillit pritet që pjesëtarët e FSK-së të operojnë në ‘Qafë të Dulës’, në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, siç janë Gorozhubi, Jasiqi, pastaj rreth Prishtinës, në Llukar, Gërmi gjithashtu edhe në Harilaç, afër aeroportit, si dhe në Ferizaj, rreth kazermës së tashme të FSK-së”
, thotë Dugolli.

Edhe pse nuk janë dhënë statistikat e qarta, autoritetet e rendit besojnë se numrin më të madh të viktimave nga mjetet e pashpërthyera e përbëjnë pikërisht fëmijët.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG