Ndërlidhjet

BE-ja nuk ndihmon Greqinë

  • Breffni O'Rourke


Ministrat e financave të Eurozonës hodhën poshtë kërkesën greke për masa shtesë sigurie në përpjekjet e Athinës për t’u përballur me deficitin buxhetor.

Ministri grek i financave, Papakonstandinu, tha se një plan i detajuar do t’i mbronte tregjet nga sulmet spekulative ndaj euros, që ka rënë në nivelin më të ulët përballë dollarit në nëntë muajt e fundit.

Papakonstandinu kërkoi ngritjen e një mekanizmi që do të ndihmonte vendet e Eurozonës që janë në vështirësi.

Homologët e tij nga Eurozona nuk treguan gatishmëri për propozimin grek, vetëm përsëritën premtimin e vagullt se janë të vendosur për hapa të bashkërenduar për të mbikëqyrur stabilitetin e euros.

Vendet e eurozonës i dhanë Athinës afat deri në mes të marsit për të treguar se plani grek për rimëkëmbjen po funksionon.

“Ne presim që Greqia të provojë se po merr angazhime serioze dhe të sigurojë se deficiti buxhetor mund të reduktohet me 4%. Nga raporti që do t’i jepet Komisionit Evropian, në mesin e muajit mars, do të shihet nëse Greqia është në rrugën e duhur”,
tha Zhan Klod Xhunker, kreu i Euro-grupit.

Ky i fundit theksoi se nëse plani grek nuk funksionon, atëherë ata do të vendosin masa edhe më të ashpra ndaj Greqisë, që të zvogëlojë deficitin buxhetor.

Euro-komisionari për ekonomi dhe çështjet monetare, Oli Rehn, deklaroi se kriza greke u ka dhënë vendeve të Eurozonës një leksion të rëndësishëm.

“Mësimi bazë dhe i rëndësishëm që kemi nxjerrë nga kriza është se ne urgjentisht kemi nevojë për mbikëqyrje më të gjerë, e më të thellë të politikave tona ekonomike në Eurozonë. Kjo do të na ndihmojë të kemi mekanizma të zbulimit të hershëm të problemeve”
, tha Rehn.

Greqia është një lojtare e vogël e Eurozonës, ajo përfaqëson vetëm 2.5% të aktivitetit ekonomik të Bashkimit Evropian. Rasti i Greqisë, megjithatë, është guri i provës për ekonomitë e Eurozonës se si reagojnë në rast të një problemi.

Por, duhet thënë se rruga e veprimeve të BE-së nuk është e qartë. Traktati i Lisbonës nuk lejon dhënien e paketave financiare të ndihmës vendeve anëtare.

Ekziston mundësia e ndihmave në nivel dypalësh, por Gjermania, ekonomia më e madhe evropiane, nuk është e gatshme për një gjë të tillë.

Tani është e qartë se Greqia përdori statistika të gënjeshtërta për t’u kualifikuar që të hynte në Eurozonë në vitin 2001.

Nga ana tjetër, masat e Qeverisë greke për ta përballuar krizën, po hasin me kushtëzimet e sindikatave, që kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri.

Në këto kushte, askush nuk mund ta thotë me siguri se për sa kohë mund të ruhet paqja sociale në Greqi. (I.B)
XS
SM
MD
LG