Ndërlidhjet

logo-print

Kanë dhënë betimin para presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, 22 gjyqtarë dhe Prokurorë të Gjykatës Supreme, Prokurorisë së Shtetit dhe të Prokurorisë Speciale.

Me këtë rast është bërë edhe ndërrimi i udhëheqësve të këtyre organeve.

Kryetar i Gjykatës Supreme është zgjedhur Fejzullah Hasani, ndërsa kryetar i Prokurorisë së Shtetit, Ismet Kabashi.

Përzgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj është kërkuar tash e sa kohë, për shkak se raporte nga më të ndryshmet kishin kritikuar sektorin e drejtësisë për joefikasitet.

Pas dekretimit, presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka thënë se përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sejdiu ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të reformimit të sistemit gjyqësor të Kosovës.

"Në këtë proces, ne do të hyjmë ndoshta në thellësi më të shpejtë të procesit të riemërimeve dhe të reformimit të procesit gjyqësor të Kosovës, mbi bazën e kritereve që ju i dini”.

“Do të kemi një agilitet të përbashkët, natyrisht pa ndikim në secilin mandat, me këshillin gjyqësor dhe me komisionin dhe që në një periudhë optimale të arrijmë që të mbulojmë mirë rrjetin e nevojshëm të gjyqësorit në Kosovë dhe atij prokurorial, si veçanti apo si pjesë të një pushteti të ndarë”
, ka thënë Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga gjyqtarët e sapoemëruar që ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet, si dhe në situatat më të vështira të jenë të paanshëm.

“Duke qenë, në radhë të parë, të bindur plotësisht dhe të udhëhequr plotësisht me profesionalizimin tuaj, që të jeni absolutisht larg çdo ndikimi politik; që të jeni gjithmonë, edhe në situatat më sfiduese që mund të keni - të paanshëm, flas edhe në kuptimin e zgjedhjes së lëndëve, me të cilat ju do të sfidoheni në të gjitha nivelet”
, ka deklaruar presidenti Sejdiu.

Nga ana tjetër, Lirie Osmani, kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se nga gjyqtarët dhe prokurorët e sapozgjedhur, pritet të vendoset rendi dhe ligji në vend.

“Kemi një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve, të cilat kanë mbetur pa u zgjidhur. Arsyet për to janë të njohura dhe tani nuk do të doja që t’i elaboroja”.


“Por, shpresoj që me punën tuaj vetëmohuese, me përkushtimin tuaj, do të vendosni sundimin e ligjit, sepse ju jemi shtylla e rëndësishme e këtij shteti”
, ka thënë Osmani.

Kryetari i ri i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, është shprehur se para vetes ka shumë sfida, me të cilat duhet të përballet.

“Na pret një mal lëndësh të pazgjidhura. Pastaj një mori problemesh të grumbulluara, gjithashtu ne ndodhemi në fazën reformiste në aspektin kadrovik, ku procesi është i dizajnuar që të përfundojë nga fundi i vitit 2010”,
ka theksuar Hasani.

Procesi i riemërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, të Prokurorisë së Shtetit dhe atyre të Prokurorisë Speciale, kishte filluar vitin e kaluar.

Me dekretimin e 22 gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk është plotësuar në tërësi i gjithë procesi.

* * *
Gjykata Supreme e Kosovës

Fejzullah Hasani - gjyqtar/ kryetar i Gjykatës,
Nesrin Lushta - gjyqtar
Valdete Daka - gjyqtar
Emine Kaqiku - gjyqtar
Gyltene Sulejmani - gjyqtar
Emine Mustafa - gjyqtar
Shukri Sulejmani - gjyqtar
Enver Peci - gjyqtar



Prokuroria e Shtetit

Ismet Kabashi - kryeprokuror
Zyhra Ademi - prokuror
Rexhep Kabashi - prokuror
Jusuf Mejzini - prokuror


Prokuroria Speciale e Kosovës

Sevdije Morina - zëvendës/kryeprokuror special
Reshat Millaku - prokuror special
Nazmi Mustafi - prokuror
Suad Kuraja - prokuror
Merita Bina - prokuror
Rrahim Podovorica - prokuror
Faik Halili - prokuror
Basri Morina - prokuror
Besim Kelmendi - prokuror
Ali Rexha - prokuror.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG