Ndërlidhjet

logo-print

Arritjet e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar në dy vjet të shtetësisë së saj janë 65 njohje, anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Në rrafshin vendor, analistët vlerësojnë se ende nuk janë përmbushur pritjet.



Përvjetori i dytë i pavarësisë, Kosovën e gjen si një shtet që njihet nga 65 vende, si anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, por edhe si një vend që përballet me sfida, si në rrafshin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Juristët dhe njohësit e së drejtës ndërkombëtare e vlerësojnë pavarësinë si fakt që nuk zhbëhet.

Megjithatë, ata nënvizojnë se Kosova duhet ta përforcojë subjektivitetin ndërkombëtar dhe ta shtrijë kontrollin në tërë vendin, veçanërisht në veri, ku këtë kontroll e mban Serbia, përmes strukturave paralele të saj.

Akademik Esat Stavileci thekson një nga sfidat më të mëdha të shtetit të ri.

“Ne, sot, pas dy vjetësh, kemi shtetin që nuk e kishim, por ende nuk e kemi shtetin që prisnim ta kishim”.

“Kosova posa ka nisur të ecë me këmbët e veta, ama mbajtur për dore nga ndërkombëtarët, sepse sfidën më të madhe në këtë periudhë e përbën një element i pakapërcyeshëm, kur bëhet fjalë për shtetin dhe ai është sovraniteti i tij”
, thotë Stavileci.

Pavarësia e Kosovës vazhdon të mbikëqyret, ndërsa disa fuqi ekzekutive mbeten në duar të misioneve ndërkombëtare.

Akademik Stavileci tërheq vërejtjen se funksionalizimi i shtetit kërkon veprime, si nga vendorët, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

“Funksionaliteti i shtetit të Kosovës, e para do të nënkuptonte veshjen e Kosovës me subjektivitet të plotë politik, juridik, kushtetues ndërkombëtar; së dyti, me procese të hapura të anëtarësimit të saj në OKB, që përbëjnë synimet e çdo shteti të ri”.


“Dhe, së treti, me shmangien e paqartësive të autoriteteve, që përbën një nga sfidat, pikërisht me pamundësinë e shtrirjes efektive të pushtetit në gjithë territorin dhe në mënyrë të veçantë, zbatimin unik të ligjit në të”
, shprehet Stavileci.

Stavileci konsideron se nëse vazhdojnë paqartësitë e autoriteteve, atëherë do të prodhohen dy realitete paralele të pranisë ndërkombëtare, që si pasojë do të kenë mungesën e koordinimit të tyre dhe dobësimin e funksionimit shtetëror të Kosovës.

Një proces ende i hapur, i cili vlerësohet se ka shkaktuar ngecje në njohje, është ai i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Eqrem Zenelaj, vlerëson se vendimi këshillëdhënës i Gjykatës, nuk do të ndikojë në statusin politik të Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa GJND-ja nuk pritet të marrë ndonjë vendim të prerë për ose kundër”.

“Janë dy mundësi, ashtu siç kanë propozuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ta lënë të qetë Kosovën, gjegjësisht GJND-ja të mos deklarohet fare dhe mendimi i dytë, më afërmendsh është që të japë një opinion neutral, i cili do t’i kënaqë të dyja palët”
, thekson Zenelaj.

Megjithatë, Zenelaj thotë se Kosova duhet të punojë më shumë për të siguruar njohje të reja.

“Kosova duhet të punojë më tepër për rritjen e numrit të shteteve, të cilat do ta njohin pavarësinë e Kosovës”.

“Gjithashtu, duhet punuar në plotësimin e kritereve, që i ka përcaktuar Konferenca e Kopenhagës, të cilat edhe janë kusht për integrimin e Kosovës në Unionin Evropian”,
shprehet Zenelaj.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndër të tjera, kërkon forcimin e institucioneve, si dhe të sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, sipas akademik Stavilecit, Kosova çalon.

“Kosova çalon në procesin e qeverisjes, në krijimin e shtetit demokratik dhe shtetit të së drejtës. Në Kosovë ndihet nevoja për shtetin e së drejtës, që të mos lë hapësirë për anarki. Vetë organet e pushtetit t’u nënshtrohen ligjeve”.

“Në Kosovë ndihet nevoja për legjislacion të formuluar mirë, të qartë e preciz, në mënyrë që normat të jenë të zbatueshme dhe jo abstrakte. Edhe këtu çalojmë, sepse si parim është marrë një numër i ligjeve të vendeve tjera dhe nuk u janë përshtatur rrethanave të Kosovës. Ligjet s’duhet të jenë në kundërshtim me Kushtetutën”
, nënvizon Stavileci.

Analistët theksojnë se mungesa e zhvillimit ekonomik, rritja e varfërisë dhe e papunësisë, bien ndesh me pritjet e qytetarëve, të cilët konsideruan se pavarësia do t’i zgjidhte të gjitha problemet.
XS
SM
MD
LG