Ndërlidhjet

Mesazhe urimi janë dërguar nga krerët shtetërorë dhe drejtues të partive politike në Maqedoni, me rastin e shënimit të dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Sipas tyre, thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror duhet të jetë sfida kryesore mes dy shteteve në të ardhmen.



Drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe të partive politike kanë përgëzuar institucionet e Kosovës me rastin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Gjorge Ivanov në një mesazh urimi dërguar homologut tij nga Kosova, Fatmir Sejdiu, ka shprehur bindjen e thellë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.

“Me rrumbullakimin e procesit të shënimit të kufirit dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, u krijuan të gjitha parakushtet për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh”.

“Kjo njëherësh është edhe mënyra më e mirë që të kontribuojmë për qëllimin tonë të përbashkët, stabilitetin përparimin dhe mirëqenien e rajonit tonë”, thuhet në mesazhin e Ivanovit dërguar presidentit, Fatmir Sejdiu.

Ndërsa, partitë politike kanë dhënë vlerësimet e tyre për bashkëpunimin mes dy vendeve në dy vjetët e para të shpalljes së pavarësisë.

“Nuk mund të themi se nuk ka mundur të bëhet më shumë, megjithatë për periudhën dyvjeçare, në marrëdhëniet me fqinjin tonë, Kosovën, Maqedonia ka bërë shumë”.

“Përveç njohjes dhe shënimit të vijës kufitare, u vendosën edhe marrëdhëniet diplomatike dhe mendoj se kemi marrëdhënie shumë të mira ndërfqinjësore, të cilat zhvillohen çdo ditë edhe në sferën e bashkëpunimit ekonomik dhe në sferat tjera”
, ka deklaruar Silvana Boneva, anëtare e Komitetit ekzekutiv të të VMRO-DPMNE-së.

Ndërsa, duke komentuar bashkëpunimin e deritashëm mes dy shteteve, ish- kryeministri Vllado Buçkovski, tash deputet i LSDM-së, u shpreh:

“A mund të bëhej më shumë, me siguri se po. Konsideroj se shkëmbimi tregtar nuk është në nivelin e duhur, meqë objektivisht zhvillimi i rajonit në përgjithësi, në pjesën e energjetikës është i lidhur me të gjitha resurset që i ka Kosova”.

“Mendoj se Maqedonia në të ardhmen, duhet të bëjë më shumë ”,
ka thënë Vllado Buçkovski.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, besojnë se raportet mes dy shteteve do të shënojnë në të ardhmen zhvillim të hovshëm.

Kjo parti shprehet se jetësimi i pavarësisë së Kosovës dy vjet më parë, dëshmoi se pavarësia e saj vetëm sa përforcon stabilitetin në rajon.

“Shpresojmë se në të ardhshmen marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve fqinje do të jenë në zhvillim e sipër, po ashtu dëshiroj të potencoj se opsioni Republika e Kosovës si shtet i pavarur në Ballkan, dëshmoi se Ballkani është më i qetë
”, ka theksuar Tahir Hani, anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së.

Ndërkohë, një mesazh urimi drejtuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës, u ka dërguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

“Akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është një ndër aktet më të rëndësishme të historisë më të re, jo vetëm shqiptare, por edhe botërore”.

“Sakrifica shumëshekullore, të cilën bijtë dhe bijat e Kosovës e dhanë për mëvetësi, më në fund u shpagua
”, thuhet në urimin e Menduh Thaçit.

Institucionet e Kosovës janë përgëzuar edhe nga drejtues të partive tjera politike dhe të organizatave joqeveritare, të cilat edhe në Maqedoni, me aktivitete të ndryshme shënuan dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG