Ndërlidhjet

Dy vjet shtet - disa vjet 1244


Nju-Jork, selia e Kombeve të Bashkuara
Nju-Jork, selia e Kombeve të Bashkuara

Karshi funksionimit të mekanizmave shtetëror të Kosovës, përgjatë dy vjetëve të fundit, jeta institucionale në Kosovë është veçuar edhe nga puna e disa misioneve ndërkombëtare me mandate të ndryshme. Përfaqësues të UNMIK-ut thonë se do të veprojnë në përputhje me realitetin e ri deri në, siç thuhet, zgjidhjen finale të çështjes së Kosovës. Analistët, ndërkaq, vlerësojnë se sistemi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë nuk është i qëndrueshëm në periudhë afatgjate.


Ndryshimi i realitetit në Kosovë me shpalljen e pavarësisë u përcoll me ndryshimin gradual të konstruktit të pranisë ndërkombëtare në vend, e cila në dyvjetorin e ekzistimit të Kosovës si shtet, ka marrë një pamje tërësisht tjetër.

Nisja e zbatimit të Planit Ahtisari me aktivizimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe shtrirjen e misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit, zbehu rolin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Megjithatë, kërkesa disa herë e përsëritur e Prishtinës zyrtare për mbylljen e këtij misioni në Kosovë, nuk u realizua, siç nuk u realizua shpresa për zëvendësimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i tha Radios Evropa e Lirë se misioni që ai drejton, u detyrua të gjejë një model të ri veprimi, përmes të cilit i mundësohet të kryejë disa funksione në nivel të brendshëm dhe të jashtëm.

“Mendoj se ajo që ka ndodhur është se UNMIK-u ka gjetur në njëfarë mënyrë një rol të ri - interpretimi i mandatit të vet të vjetër, që është rezoluta 1244”.

“Kjo lejon që procesi të vazhdojë derisa ka progres të jashtëm karshi zgjidhjes finale të çështjes së statusit, që, fatkeqësisht, vazhdon të kontestohet nga disa”,
u shpreh Zanier.

Diplomati italian theksoi se mungesa e konsensusit në Kombet e Bashkuara në lidhje me çështjen e Kosovës dhe shpallja e shtetësisë nga kjo e fundit, determinuan rolin e ri të UNMIK-ut në vend.

“Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu siç pamë edhe nga çështja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është ende e ndarë rreth çështjes së Kosovës; Këshilli i Sigurimit ende është i ndarë në çështjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Rrjedhimisht, nuk ka pasur pajtim në Këshillin e Sigurimit për përfundimin e punës së këtij misioni. Në të njëjtën kohë, ne është dashur t’i përshtatemi realitetit në terren”
, tha Zanier.

Dinamika e punës së institucioneve vendore mbikëqyret nga ICO-ja, ndërsa puna e këtij mekanizmi mbikëqyret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i përfaqësuar nga 25 shtete që e kanë njohur Kosovën.

Këtyre u shtohet EULEX-i, në njërën anë, dhe UNMIK-u e KFOR-i, në anën tjetër. Kritikat për varësinë e institucioneve vendore ndaj atyre ndërkombëtare nuk ishin të pakta përgjatë dy vjetëve të fundit.

Analistja e Iniciativës për Stabilitet Evropian, Verena Knaus, tha se sistemi aktual në Kosovë, që, sipas saj, karakterizohet nga shumë institucione me llogaridhënie dhe qartësi të vogël, në lidhje me rolin dhe përgjegjësitë, nuk është i qëndrueshëm në aspektin afatgjatë.

“Natyrisht se, herët apo vonë, do të shtrohet pyetja se cila është vlera e pranisë së shtrenjtë dhe të gjerë ndërkombëtare këtu, në çuarjen e Kosovës përpara dhe në ndihmën për të zgjidhur çështjen e veriut, apo çështje të tjera që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të Kosovës”.

“Vende të tjera në rajon, qartazi dëshmojnë se nuk nevojitet një prani ndërkombëtare që ka një mandat ekzekutiv, një prani ndërkombëtare e të pestëve siç e keni këtu, për të bërë progres në integrimet evropiane, ose në integrimin e shoqërisë në mënyrë më efektive”,
theksoi Knaus.
XS
SM
MD
LG