Ndërlidhjet

Dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjendja socio-ekonomike në vend nuk ka ndryshuar shumë, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përveç problemeve, thonë se Kosova ka shënuar edhe rezultate të dukshme.


Dy vjet më parë, para shpalljes së pavarësisë, pritjet e kosovarëve ishin të mëdha. Me formimin e shtetit të ri, pritej se do të përmirësohej imazhi dhe gjendja ekonomike e Kosovës.

Por, një gjë e tillë, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk ndodhi, pasi siç thonë, edhe pas dy vjetësh situata socio-ekonomike në vend është shumë e vështirë.

Ekspertët theksojnë se investimet e huaja kanë shënuar rënie, Kosova ende varet nga importi, ndërkaq bizneset mezi mbijetojnë duke u penguar madje edhe nga korrupsioni.

Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se vitet e pas-pavarësisë nuk kanë qenë në favor të zhvillimit ekonomik, duke përmendur në radhë të parë mungesën e investimeve të huaja.

“Në fushën e përkrahjes për investime, mendoj se kemi ngecje. Ne kemi një agjenci për promovimin e investimeve, por nuk kemi ndonjë angazhim, i cili mund të vërehet; fatkeqësisht është angazhim minor. Dhe, në këtë veprim nuk e kemi situatën ashtu siç kemi pretenduar”
, thekson Beqaj.

Ndryshe, sipas raportit të Bankës Botërore, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë kanë shënuar rënie për rreth 45 milionë euro, gjatë vitit 2009, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2007, kur është futur operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, investimet e huaja në vend kanë qenë 421 milionë euro.

Në vitin 2008, këto investime kanë qenë 355 milionë euro, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, përmend mosndryshimin e gjendjes sociale gjatë dy vjetëve të shtetësisë.

Ai thekson se pavarësisht faktit se kriza globale financiare gjatë këtyre vjetëve ka qenë e pranishme, problemet socio-ekonomike në Kosovë kanë qenë pasojë e politikës së brendshme menaxhuese.

“Ka arritur deri në 15 për qind varfëria ekstreme, ndërsa papunësia është 45 për qind. Do të thotë që në tregun e punës, për çdo vit hyn dy herë më shumë kontingjent i ri i punës, në krahasim me mundësitë që ka ekonomia për të absorbuar këtë potencial
”, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se me gjithë vështirësitë në fushën ekonomike, Kosova pas shpalljes së pavarësisë, ka shënuar edhe rezultate.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se gjatë kësaj periudhe Kosova ka qëndruar fuqishëm karshi krizës financiare globale, ndërkaq thekson se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka një qëndrueshmëri fiskale.

"Dy vjet pas pavarësisë, Kosova mund të kualifikohet si vend që ka treguar një qëndrueshmëri fiskale, ekonomike dhe është krijues i stabilitetit në rajon, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në atë politik”.

“Në qoftë se shikohen të gjithë trendët krahasuese me vendet e rajonit, Kosova po qëndron shumë fuqishëm sa i përket edhe zhvillimit ekonomik, edhe qëndrueshmërisë fiskale”
, thotë Shala.

Si sukses gjatë kësaj periudhe, ministri Shala vlerëson edhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Kosova tashmë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore; është e njohur nga 65 shtete, përkatësisht nga shtetet më të fuqishme botërore dhe ka një perspektivë të sigurt në rajon”.

“Qytetarët e Kosovës, sigurisht që kanë pritje më të mëdha dhe këto janë të natyrshme. Por, besoj se ne jemi në një rrugë më të mirë për të ndërtuar një shtet demokratik, në të cilin qytetarët e Kosovës do të kenë një jetë më të mirë”
, pohon Shala.

Edhe Ibrahim Rexhepi, anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar financiar e vlerëson si rezultat pozitiv pas shpalljes së pavarësisë, por ai thotë se autoriteteve kompetente u mbetet që të punojnë në këtë kuadër, në mënyrë që të shihen rezultatet.

“Ky është një hap i mirë, por që nuk do të thotë se anëtarësimi vetvetiu dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë do të afektojë edhe në çështje të tjera, konkretisht me shfrytëzimin e kredive, me marrjen e ndihmave të ndryshme financiare, por që në perspektive lë të shpresojë
”, thekson Rexhepi

Sidoqoftë, sipas ekspertëve, kosovarët tashmë i kanë mbështetur shpresat te pasuritë e shumta nëntokësore, ndërkohë që edhe popullsia është një nga më të rejat në Evropë, fakt ky tepër pozitiv për shtetin më të ri në botë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG