Ndërlidhjet

Klinton i uron Kosovës dy vjetorin e pavarësisë



Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton i ka uruar Kosovës dyvjetorin e pavarësisë.

“Në emër të presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, e uroj popullin e Republikës së Kosovës në përvjetorin e dytë të pavarësisë. Ky është një rast për ta kremtuar zhvillimin e Kosovës si republikë e hapur, unitare dhe pluraliste, dhe përkushtimin e saj për t’u ofruar premtimet e demokracisë të gjithë popullit të saj. Përparimi i Kosovës në këto dy vite e dëshmon përkushtimin e saj për të qenë anëtare e përgjegjshme në komunitetin e shteteve dhe ndaj stabilitetit në Ballkan”.

“Unë e lëvdoj Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e vazhdueshme të saj për ndërtimin e të ardhmes së sigurtë dhe prosperuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbeten partner i patundur i popullit dhe Qeverisë së Kosovës, të përkushtuar ndaj forcimit të institucioneve të Kosovës dhe zhvillimit të mëtejmë të një shteti plotësisht funksional, demokratik dhe shumëetnik, i aftë për t’i arritur synimet euroatlantike të tij”, thuhet në urimin e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton.
XS
SM
MD
LG