Ndërlidhjet

logo-print

Takim për të pagjeturit


Në Kosovë ende nuk dihet për fatin e 1870 personave

Në Kosovë ende nuk dihet për fatin e 1870 personave

Grupi Punues për Personat e Pagjetur, i përbërë nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, do të takohet të premten në Beograd. Në këtë takim do të shkëmbehen informacione për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.


Me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të premten në Beograd do të mbahet takimi i radhës i Grupit Punues për Personat e Pagjetur.

Takimi i këtij grupi, i cili përbëhet nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, do të ketë karakter pune dhe do të jetë i mbyllur, thotë Prenk Gjetaj, përfaqësues i delegacionit nga Prishtina.

Ai thekson se pala kosovare do t'i shtojë kërkesat për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, duke u bazuar në informacione të reja.

“Në radhë të parë, ne do të prezantojmë strategjinë tonë për vitin 2010 rreth çështjes së punës së mëtutjeshme për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur”.

“Do të shkëmbejmë informacione dhe do të bëjmë kërkesa duke u mbështetur në disa informacione shtesë, të reja. Do të shikojmë edhe kërkesat e palës së Beogradit në këtë drejtim”,
thotë zoti Gjetaj.

Zoti Gjetaj shton se delegacioni nga Prishtina do të riaktualizojë çështjen e Rudnicës, ku ishte gërmuar në vitin 2007, nën dyshimin se aty ekzistonte varrezë masive.

Sipas Gjetajt, dyshohet se është gabuar lokacioni dhe tashmë posedojnë informacione shtesë, të cilat do t’i prezantohen delegacionit të Beogradit, me kërkesën që të punohet në këtë drejtim.

Në anën tjetër, familjarët e personave të pagjetur, shqiptarë dhe serbë, thonë se me gjithë punën e bërë deri më tash për zbardhjen e fatit të këtyre personave, ka mundur të bëhet shumë më tepër.

Nesrete Kumnova, drejtuese e shoqatës “Thirrjet e nënave” nga Gjakova, e cila e ka ende të pagjetur të birin, Albionin, ka kërkuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që të bëjë presion ndaj grupit punues për personat e pagjetur, për një angazhim më të madh.

“Nuk janë shtytës të fuqishëm që t’ju japin palëve shtytje që të nxjerrin informacione. Informacionet ekzistojnë te pala serbe, për secilin,veç e veç, me emër e mbiemër, se ku janë dhe të zbardhet fati i tyre një herë e përgjithmonë”
, shprehet zonja Kumnova.

Edhe Ollga Villimonoviq, thotë se i ka të pagjetur babanë dhe vëllanë.

“Ata janë zhdukur më 8 korrik të vitit 1999, në një fshat afër Lipjanit. Dy vjet pas kidnapimit të tyre, UNMIK-u i ka shpallur si të vrarë”,
tha zonjaVillimonoviq, duke shtuar se, megjithatë, familja e saj ende nuk i ka marrë kufomat e tyre.

Këto familjare apelojnë te Grupi Punues për Personat e Pagjetur dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, që të jenë më të angazhuar për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

“Unë do të jap porosi si nënë, e cila po vuan me gjithë qenien shpirtërore për djalin e vetëm, Albionin, që ende më mungon. Por, edhe si shoqatë ‘Thirrjet e nënave’ i apeloj organizatës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që gjithsesi t’i bëjë presion palës serbe që t’i japë informacionet për më të dashurit tanë se ku ngelën deri më sot”, thotë Nesrete Kumnova.

Ngjashëm apelon edhe Ollga Villimunoviq...

“Unë, si motër dhe si bijë, do të porosisja që aq sa është e mundur, secili të niset nga vetja, sikur ta kishin dikë të tyrin të pagjetur, të bashkëndiejnë me ne”.

Ndërkaq, zoti Gjetaj i quan të arsyeshme kërkesat e familjarëve të personave të pagjetur.

“Kjo kërkesë dhe ky presion janë të arsyeshme, nga cilado palë qoftë, sepse të pagjeturit kanë një përkatësi, në cilindo kuptim që ta marrësh”.

“Në këtë drejtim, tani për tani, ky takim është i karakterit të mbyllur. Takimi i radhës do të jetë takim i hapur, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të familjeve të personave të pagjetur, gjegjësisht shoqatave”,
sqaron zoti Gjetaj.

Sidoqoftë, në Kosovë aktualisht evidencohen si të pagjetur 1870 persona, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG