Ndërlidhjet

TIMES: “Raportet amerikano-kineze në pikëpyetje”


Presidenti amerikan Barak Obama dhe udhëheqësi shpirtëror në mërgim i tibetianëve, Dalai Lama

Presidenti amerikan Barak Obama dhe udhëheqësi shpirtëror në mërgim i tibetianëve, Dalai Lama


"Times"


Dy fitues të çmimit Nobel për Paqe takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar një çështje që mund t’u kushtojë Shteteve të Bashkuara me shumë se dy luftërat e marra së bashku. Bëhet fjalë për marrëdhëniet e Tibetit me Kinën.

Në një takim të organizuar me kujdes, presidenti Obama dhe Dalai Lama, do të lënë pas krahëve protestat e Kinës dhe do të ringjallin traditën e gjatë të mbështetjes amerikane për Tibetin, në përpjekjet e tij për autonomi më të gjerë nga Pekini.

Derisa presidenti Obama do të zhvillojë takimin e parë me udhëheqësin shpirtëror në mërgim të tibetianëve, aktivistët i bënë thirrje baroneshës Ashton t’i bëjë një ftesë të ngjashme Dalai Lamës, “në përputhje me vlerat evropiane të dialogut dhe të pajtimit”.

Takimi me një nga ikonat e lëvizjes për të drejtat e njeriut nuk besohet se do të shoqërohet me paraqitje publike.

Edhe në këto kushte, takimi do të thellojë mosbesimin që ekziston në raportet e trazuara amerikano-kineze dhe ka fuqinë që t’i dëmtojë interesat amerikane në një mori çështjesh nga Irani, e deri te vlera e dollarit.

Shtëpia e Bardhë është kujdesur të theksojë se Dalai Lama do të pritet si udhëheqës shpirtëror, e jo si udhëheqës politik. Megjithatë, konteksti politik i takimit nuk mund të anashkalohet.

Takimi ishte shtyrë deri pas vizitës së parë të presidentit Obama në Kinë, me shpresën se do të mund të fitonte bashkëpunimin e Kinës në politikat e ndryshimeve klimatike dhe sanksionet kundër Iranit.

Që nga dështimi i kësaj strategjie, zoti Obama ka miratuar marrëveshje në vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh në shitjen e armëve Tajvanit, kurse Kina ka lejuar rënien e bonove të thesarit të Shteteve të Bashkuara në tregun botëror.

Kina, gjithashtu, nuk ka pranuar të tërhiqet nga mosmarrëveshjet e krijuara me gjigantin amerikan të internetit, Google.

Në këto kushte, sigurimi i ftesës nga presidenti Obama dhe një takim tjetër me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, shihet si fitore e madhe nga tibetanët.

Robert Gibs, zëdhënësi i shtypit i presidentit Obama, tha se “presidenti thjesht do të inkurajojë Pekinin dhe Dalai Lamën të vazhdojnë bisedimet”.

Nëntë vitet e takimeve sporadike nuk kanë shënuar ndonjë përparim, sa i përket lirisë fetare për tibetianët budistë dhe për trajtimin që Pekini u bën disidentëve tibetianë.

Megjithatë, ajo që paraqet shqetësim në afat të gjatë për Shtetet e Bashkuara është fundi i dashurisë kineze me borxhin amerikan.

Në dhjetor Kina hoqi qafe bono-thesarin amerikan në vlerë prej 34.2 miliardë dollarë. Nëse një gjë e tillë vazhdon, vizita e klerikëve budistë është shqetësimi i fundit i zotit Obama. (I.B)
XS
SM
MD
LG