Ndërlidhjet

(S’)Ka nevojë për strategji lobimi


Në Prishtinë ekzistojnë mendime të kundërta në lidhje me formën e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës. Autoritetet thonë se s’ka nevojë për një strategji të fiksuar lobimi, kurse forcat në opozitë pohojnë të kundërtën.






Lidershipi i Kosovës ka paralajmëruar këto ditë, në disa raste, shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Opozita dhe shoqëria civile i bëjnë thirrje Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë që të hartojë një strategji për mënyrën e lobimit menjëherë pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pavarësisht nëse do të ketë një mendim pozitiv, neutral apo edhe në rastin më të keq, negativ për pavarësinë e Kosovës nga kjo instancë ndërkombëtare e drejtësisë.

Mirëpo, Albana Beqiri, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë se nuk ka nevojë për një strategji të tillë, pasi që, sipas saj, nuk pritet më valë njohjesh në bllok nga një numër i shteteve përnjëherë, por njohje nga vendet që kanë vendosur që ta respektojnë GJND-në para se të marrin vendimin për të njohur shtetin më të ri.

“Nuk mund të kemi një strategji, sepse Ministria e Jashtme përditë ndeshet me lobim. Nuk mund të kemi një strategji uniforme lobuese pasi që vendet, të cilat e kanë pasur interes të tyre parësor Kosovën, tashmë e kanë kryer procesin e njohjes dhe ne, në asnjë rast nuk mundemi që edhe vendeve tjera t’ua ofrojmë të njëjtën strategji, do ta quaja, uniforme të lobimit”
, thotë Albana Beqiri.

Një mendim të kundërt me zyrtaren e Ministrisë së Jashtme shpreh Ibrahim Gashi nga Aleanca Kosova e Re.

Sipas Gashit, diplomacia kosovare ka nevojë për një strategji, e cila do të përfshinte në vete edhe figura vendore e ndërkombëtare në shërbim të rritjes së numrit të njohjeve.

“Në radhë të parë duhet të ketë një strategji për ta rritur numrin e njohjeve. Strategji, e cila në vete do të duhej të përmbante angazhimin e gjithë resurseve, gjithë potencialit që ka, edhe vendor edhe ndërkombëtar, që do të mund të angazhohej në lobim. Kurse, Ministria e Punëve të Jashtme do të duhej të ishte një koordinatore që të mblidhte të gjithë ata faktorë relevantë që mund të ndikojnë në rritjen e numrit të njohjeve”
, thekson Gashi.

Deputeti i AKR-së, Ibrahim Gashi, i sugjeron Ministrisë së Jashtme të jetë më e pranishme edhe në tryeza e forume tjera rajonale, apo të karakterit më të gjerë ndërkombëtar, në mënyrë që në çdo forum të dëgjohet edhe zëri i shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, Ylli Hoxha drejtor ekzekutiv i Klubit për Polikë të Jashtme, thotë se vendimi i GJND-së do të jetë një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe procesin e njohjeve.

Por, Hoxha shprehet skeptik se lidershipi i Kosovës është i përgatitur për fazën pas GJND-së, pavarësisht se premton njohje të reja.

“Dy vitet e kaluara kemi parë se kemi lidership, i cili është i paaftë t’i zbatojë premtimet e veta, është i paaftë që ta përmbyllë një proces ndërkombëtar, që është i domosdoshëm jo vetëm për pozicionin tonë ndërkombëtar, por edhe për funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Shpesh, paralajmërimet e këtij lidershipi dalin të zbehta, pa ndonjë rezultat”,
thotë Hoxha.

Opozita dhe shoqëria civile i kanë rekomanduar disa herë Qeverisë që të angazhojë personalitete ndërkombëtare që kanë ndihmuar në krijimin e shtetit të Kosovës, edhe në procesin e lobimit për njohje.

Por, nga Ministria e Jashtme thonë se tashmë ka një numër ndërkombëtarësh që lobojnë aktivisht për këtë qëllim, por ata nuk preferojnë që t’u përmenden publikisht emrat.

Në dyvjetorin e pavarësisë, Kosova numëron 65 njohje ndërkombëtare.

Kurse, një moment i rëndësishëm për shtimin e këtij numri, sipas zyrtarëve më të lartë vendorë, do të jetë përfundimi i procesit në GJND.
XS
SM
MD
LG