Ndërlidhjet

logo-print

Në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ka mungesë të anesteziologëve. Shumë prej tyre e kanë lëshuar punën si pasojë e pagave të ulëta dhe kushteve jo të volitshme për punë, thotë drejtues të kësaj qendre. Ndërsa, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kanë shpallur konkurs për pranimin e specializantëve të rinj të këtij lëmi, në mënyrë që të kompensohet mungesa.


Në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ka mungesë të theksuar të anesteziologëve. Në dy vjetët e fundit, trembëdhjetë prej tyre e kanë lëshuar punën dhe kjo vjen si pasojë e pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira për punë, thotë Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv.

“Qendrës Klinike Universitare i duhen 75 anesteziologë për 36 salla operative dhe tri mjekime intensive për ta mbuluar minimumin e mundshëm. Në QKUK janë 42 anesteziologë, ndërsa punën e vijojnë 35, sepse tjerët janë në pushime të arsyeshme”
, thotë Baftiu.

Sipas Baftiut, shumica e specialistëve e ndërpresin punën duke kërkuar kushte më të mira.

Konkursi vazhdon të mbetet i hapur, për pranimin e 30 anesteziologëve të rinj, për aq sa edhe ka nevojë Qendra Klinike, por, sipas tij, asnjë anesteziolog nuk është paraqitur deri tash.

“Qe tri vjet, sa qeverisi unë, e kanë lëshuar punën 13 anesteziologë dhe së shpejti do ta lëshojnë punën edhe katër të tjerë, duke lidhur kontrata me organizata të huaja dhe spitale private në vend, sepse pagat që u janë ofruar, janë rreth 10 herë më të mëdha sesa që i kanë këtu, rreth 300 euro”
, shpjegon Baftiu.

Edhe Arsim Morina, neurokirurg, thotë se ka mungesë të madhe të anesteziologëve dhe se, sipas tij, duhet bërë një zgjidhje.

“Apeloj që të pranohen të rinj në specializim, në mënyrë që mos të ndihet mungesa. Duhet të bëhet distribuimi i specializimeve nga klinikat përkatëse, e jo planifikimin e anesteziologëve të bëjë ministria, por të jetë për klinikat dhe spitalet regjionale për çdo shërbim aq sa kanë nevojë. Flitet që ne do t’i kemi ato kompetenca”
, thekson Morina.

Në anën tjetër, Faik Hoti nga Ministra e Shëndetësisë thotë se konkursi për specializant të rinj të anesteziologjisë është i hapur dhe mungesa e tyre do të kompensohet.

“Ka disa anesteziologë, të cilët kanë lëshuar punën për të kaluar në sektorin privat. Mirëpo, QKU-ja ka hapur konkurs, i cili ende është i hapur, ndërsa mungesat që shfaqen, do të kompensohen, ndërkohë që disa tjerë janë në proces të specializimit”,
deklaron Hoti.

Mirëpo, Agron Pustina, drejtor i Klinikës së Ortopedisë, thotë se mungesa e anesteziologëve ndikon drejtpërdrejt në punën e të gjitha klinikave spitalore në vend.

Sipas tij, në Klinikën e Ortopedisë ka një bashkëpunim të mirë me anesteziologët, por prapë se prapë ndihet mungesa, sidomos gjatë kujdestarisë.

“Gjatë kujdestarive, natën, kemi probleme për anesteziologë, për shkak të numrit të vogël për gjithë këtë patologji që bëhet në QKUK. Ortopedia është e lidhur me traumë, me raste urgjente dhe këtu hasim në probleme”,
thekson Pustina.

Mirëpo, sipas drejtorit të Klinikës së Anestezionit, Nehat Baftiu, Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i duhen edhe rreth 75 anesteziologë, për t’i mbuluar operacionet në 36 salla operative dhe tri departamente për mjekime intensive.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG