Ndërlidhjet

Pasojat e rënies së investimeve


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Investimet e huaja në Kosovë shënuan rënie gjatë 2009-s, krahasuar me një vit më parë. Sipas autoriteteve, kjo është pasojë e krizës ekonomike globale, por ekspertë të ekonomisë e vlerësojnë të papërshtatshme klimën për investime.


Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë ka shënuar rënie, ç’gjë është në kundërshtim me pritjet e kosovarëve, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, Kosova nuk ka krijuar një ambient të favorshëm për investitorët e huaj.

Ai, madje, thekson se përveç krizës globale financiare, në këtë kuadër problem paraqet edhe moszbatimi i ligjit, niveli i lartë i korrupsionit dhe shkalla e lartë e ekonomisë joformale.

“Të gjithë ishim në pritje të inkurajimit të investitorëve për t’u përfshirë në realizmin e projekteve të ndryshme”.

“Por, realisht, investitorët e huaj presin më shumë nga Kosova e pavarur, në kuptimin e forcimit të shtetit ligjor, në kuptimin e përmirësimit të infrastrukturës, të qeverisjes, pastaj luftimit të korrupsionit dhe luftimit të ekonomisë joformale”,
thotë Sadiku.

Rënia e nivelit të investimeve ndërkombëtare të drejtpërdrejta në Kosovë, është shkaktuar si pasojë e krizës financiare globale, thotë Mustafë Hasani, kryeshef në Agjencinë për promovimin e investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Megjithatë, ai konsideron se gjatë këtij viti është rritur numri i investitorëve të huaj të interesuar, pas vendimit të autoriteteve kompetente, për privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha publike.

“Sidomos projektet e mëdha të privatizimit në Kosovë, siç janë privatizimi i KEK-ut, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Termocentrali ‘Kosova e Re’, autostrada dhe ato privatizime që janë projekte mjaft të mëdha dhe kanë zgjuar interesimin e kompanive të huaja”
, thekson Hasani.

Në anën tjetër, niveli i ulët i investimeve të huaja të drejtpërdrejta Kosovë, paraqet rrezik për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, thotë Lundrim Aliu, zyrtar për informim në zyrën e Bankës Botërore në Prishtinë.

“Edhe pse ekonomia e Kosovës i ka rezistuar krizës, pasqyra makroekonomike përmban disa rreziqe. Paqartësitë ekonomike në të ardhmen në Bashkimin Evropian, mund të bëjnë që ngadalësimi ekonomik i Kosovës të vazhdojë nëpërmjet tri formave”.

“Mungesës së rritjes së vogël së remitencave, mos-forcimit të kërkesës për eksportet e Kosovës dhe vazhdimi i niveleve të ulëta të investimeve të huaja direkte që hyjnë në vend”,
shprehet Aliu.

Ndryshe, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme, në vitin 2007 investimet ndërkombëtare direkte në vend kanë qenë 421 milionë euro, kurse vitin 2008, investimet kanë rënë në 355 milionë, ndërkaq vitin e kaluar investimet kanë qenë vetëm 310 milionë euro.
XS
SM
MD
LG