Ndërlidhjet

logo-print

Eshton: E ardhmja e Kosovës në BE


Kryediplomatja evropiane Ketrin Eshton dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryediplomatja evropiane Ketrin Eshton dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Bashkimi Evropian është absolutisht i bashkuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, tha të premten në Prishtinë, kryediplomatja evropiane Ketrin Eshton. Pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e misioneve civile ndërkombëtare në Kosovë, Eshton inkurajoi vendet e rajonit të kultivojnë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si pjesë e politikave që e shpien Ballkanin kah BE-ja.


Kosova ka perspektivë të qartë evropiane, tha sot në Prishtinë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Ketrin Eshton.

Në kuadër të vizitës që po i bën rajonit, Eshton ka qëndruar të premten edhe në Prishtinë, ku ka zhvilluar një takim të përbashkët me Përfaqësuesin Special të BE-së, Piter Feith, shefin e misionit EULEX, Iv de Kermabo, dhe shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renco Davidi.

Kurse, më pas është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e lartë të pranisë ndërkombëtare.

Pavarësisht faktit se 5 nga 27 vende të BE-së nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, Eshton ka thënë se ka një pajtueshmëri të plotë se Kosova dhe rajoni kanë perspektivë evropiane dhe paraqesin prioritet në agjendën politike të BE-së.

“Ajo që Bashkimi Evropian është absolutisht i bashkuar 100 për qind, është se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian
”, ka thënë Eshton, duke rikujtuar përkrahjen që Brukseli i ofron Kosovës në fushën e sundimit të ligjit përmes misionit të EULEX-it dhe investimeve të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të saj, para se të bëhet anëtare e BE-së.

Kryediplomatja evropiane ka theksuar se gjatë këtij raundi diplomatik në rajon, i ka inkurajuar qeveritë e këtyre vendeve që të kultivojnë dialogun ndër-rajonal, duke ofruar edhe mbështetjen e BE-së për këtë qëllim.

“Ne duhet ta gjejmë atë që do ta quaja, një bashkëpunim pragmatik rajonal. Besoj se kemi filluar dialogun se si ta nisim këtë çështje”
, ka theksuar kryediplomatja Eshton.

Në planin e brendshëm, ajo ka kërkuar nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in dhe t’i përkushtohen zhvillimit ekonomik në mënyrë që të sigurohen edhe investimet nga jashtë.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova angazhohet për bashkëpunim rajonal dhe është e gatshme që, si dy shtete të barabarta, të bashkëpunojë edhe me Serbinë, në kuadër të procesit të integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.

Thaçi ka kërkuar nga Eshton që Bashkimi Evropian të zbatojë politika të njëjta integruese edhe për Kosovën, si dhe ka kërkuar udhërrëfyesin për vizat, përderisa është zotuar se Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga procesi i integrimeve.

“Kërkohet trajtim adekuat dhe i barabartë me vendet tjera të rajonit për integrim në Bashkimin Evropian”.

“Ky proces do të jetë dinamik, aktiv dhe ne do të vazhdojmë t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë, qoftë në nivelin qendror, apo në atë lokal. Së shpejti presim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”
, është shprehur Thaçi.

Eshton në anën tjetër, i ka konfirmuar kryeministrit Thaçi se Bashkimi Evropian, brenda dy javësh do ta dërgojë në Kosovë një delegacion, i cili do të bisedojë për procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë kësaj vizite të shkurtër në Prishtinë, zyrtares së lartë të BE-së i është drejtuar edhe një letër e hapur nga Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Përveç shqetësimeve që shprehen për shkallën, si thuhet, të ulët të përparimeve në fushën e sundimit të ligjit, ky Këshill shpreh shqetësime lidhur me rihapjen e procesit gjyqësor nga ana e EULEX-it ndaj Albin Kurtit dhe për mungesën e hetimit për vrasjen e dy demonstruesve nga Policia e Kombeve të Bashkuara, që pati ndodhur më 10 shkurt të vitit 2007.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG