Ndërlidhjet

KEK: Të mos paguhen faturat e kompanive të Serbisë


"Kosova A"
"Kosova A"

Korporata Energjetike e Kosovës fton serbët e veriut t’i shpërfillin faturat e energjisë elektrike nga kompanitë, që s'janë të regjistruara në vend. Por, për përfaqësuesit e serbëve, kërkesa e KEK-ut ka prapavijë politike.





Korporata Energjetike e Kosovës ka mbledhur prova, të cilat tregojnë se entitetet “Elektro-Kosmet” dhe “Elektro-Ekonomia e Serbisë”, gjatë muajve të fundit kanë operuar dhe vazhdojnë të operojnë në mënyrë ilegale në anën veriore të lumit Ibër, bëjnë të ditur zyrtarë nga KEK-u.

Zëdhënësi i Korporatë Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, thekson se këto kompani nuk janë të licencuara në Kosovë dhe se KEK-u është i vetmi entitet ligjor i licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për furnizim me energji elektrike në tërë territorin e Kosovës.

“Provat e mbledhura nga KEK-u, tregojnë qartë se “Elektro-Kosmeti” dhe EPS, të mbështetura nga “Elektro- rrjeti i Serbisë”, së bashku janë duke kryer aktivitetet e një operatori të sistemit të shpërndarjes së energjisë dhe të furnizuesit të energjisë në këtë pjesë, pa ndonjë bazë ligjore apo autoritet”.


“Duke qenë se operimet e tyre janë ilegale, pasi që nuk janë as të regjistruara dhe as të licencuara nga ZRRE-ja për këtë punë, KEK-u u bën thirrje të gjithë konsumatorëve në atë pjesë, që t’i shpërfillin faturat e pranuara nga këto entitete. Pra, të mos i pranojnë dhe të mos i paguajnë ato
”, thotë Buzhala.

Në anën tjetër, Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar serb në veriun e Kosovës, thotë se serbët e veriut të Kosovës nuk i pranojnë institucionet e Kosovës, rrjedhimisht as Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Ne me to nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë dhe as që mendojmë të nënshkruajmë çfarëdo kontrate”.

“Ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me ato institucione dhe për ne janë inekzistente dhe nuk na interesojnë absolutisht. Obligimet tona ne këtu ua paguajmë institucioneve tona, ‘Elektro –Kosmetit’”,
thekson Ivanoviq.

Ivanoviq e akuzon KEK-un duke thënë se kjo korporatë po e politizon çështjen e energjisë elektrike.

Sipas tij, insistimi i KEK-ut ka për qëllim t’i shtyjë serbët që t’i pranojnë institucionet kosovare dhe Kosovën e pavarur. Ai shton se serbët e veriut të Kosovës nuk kanë asnjë arsye që faturat t’ia paguajnë KEK-ut.

“Praktikisht, KEK-u dhe institucionet e Kosovës ia kanë ndërprerë pjesës veriore furnizimin me energji elektrike. Ato e kanë ndërprerë distribuimin e energjisë përmes sistemit, i cili vjen nga ana jugore, nga trafo-stacioni në Shupkovac”.

“Kështu që ne jemi furnizuar me energji nga ana veriore, përkatësisht nga drejtimi i Novi-Pazarit dhe Rashkës, si dhe një pjesë nga Zubin-Potoku, apo elektrana e Gazivodës”,
shprehet Ivanoviq.

Por, ndryshe thotë zëdhënësi i KEK-ut, Buzhala.

“E gjithë energjia elektrike, me të cilën është furnizuar edhe veriu i vendit, gjithnjë ka qenë e KEK-ut”
, deklaron Buzhala.

Zoti Buzhala shton se borxhet që i kanë konsumatorët e veriut të Kosovës ndaj KEK-ut, arrijnë deri në 100 milionë euro.

Sipas Buzhalës, KEK-u e ka strategjinë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, e cila është e njëjta që është aplikuar në enklavat tjera në Kosovën qendrore.

“Dihet se kjo strategji ka pasur rezultat të plotë kur është zbatuar dhe ne jemi në proces e sipër që ta zbatojmë edhe në atë pjesë të Kosovës”.

“Strategjia ka në thelb trajtimin e njëjtë të atyre konsumatorëve sikurse në pjesët tjera të Kosovës. Sigurisht se ne jemi të vendosur që të fillojmë me aplikimin e kësaj strategjie, me të marrë leje nga komuniteti ndërkombëtar në atë pjesë”,
sqaron Buzhala.

Por, Ivanoviq e kundërshton një gjë të tillë, duke thënë se serbët do të vazhdojnë që faturat e rrymës t’ua paguajnë kompanive të Serbisë.

“Kjo për ne ka domethënie më të madhe se sa çështja e thjeshtë e furnizimit me energji elektrike. Kjo për ne është edhe çështje e statusit”.

“Ndërkaq, këtë e dinë edhe ata të KEK-ut, të cilët po përpiqen të na tërheqin për ta pranuar pavarësinë”
, përfundon Ivanoviq.
XS
SM
MD
LG