Ndërlidhjet

Plani për integrimin e Mitrovicës has në qëndrime të ndryshme të shqiptarëve dhe serbëve. Derisa për shqiptarët me këtë i jepet fund, siç thonë, anarkisë në veri të vendit, serbët e konsiderojnë se kështu po i hiqet kontrolli Serbisë.


Ngjashëm si te politikanët, ashtu dallojnë qëndrimet mes qytetarëve shqiptarë dhe serbë për strategjinë për veriun.

Strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe e Qeverisë së Kosovës për kthimin e kontrollit në veriun e qeverisur nga strukturat paralele serbe, nuk shihet me sy të mirë nga serbët e Mitrovicës.

Nikolla Stojanoviq thotë se për strategjia është e papranueshme.

“Askush nuk mund ta marrë atë që është e jona. Askush nuk ka të drejtë të përzihet, sepse unë konsideroj se kjo edhe më tej dhe gjithmonë, do të mbetet pjesë e territorit tonë. Kështu që, ata, ato ligjet e tyre le t’i zbatojnë në ndonjë shtet tjetër dhe jo këtu te ne”.

“Ky s’është vendi ku mund të kryhen eksperimente të ndryshme me njerëzit, me ndjenjat e tyre. Nuk i mbështes planet e tyre dhe mendoj se shumë shpejt kjo do të dështojë, sepse nuk ka gjasa që të ketë sukses”,
thotë Stojanoviq.

Qasje tjetër ndaj planit kanë shqiptarët e Mitrovicës. Ata shfaqin shpresa se plani, ashtu edhe siç është thënë, do të kthejë sundimin e ligjit dhe do të largojë anarkinë.

Fisnik Abdullahu është njëri nga qytetarët shqiptarë, që beson te suksesi i strategjisë për Mitrovicën.

“Mund të jetë diçka e re ose e mirë për Mitrovicën, pasi që përfundimisht duhet të sundojë ligji, të ketë të drejta të barabarta për ne, nuk domethënë shqiptarë e serbë, të gjithë të jenë të njëjtë”.

“Strukturat paralele nuk janë të mira për këtë vend. Duhet të jetë një që udhëheq, pa marrë parasysh se kush është ai. S’ma merr mendja që do të ketë dhunë. S’do të jetë mirë, por dhunë s’do të ketë ”,
shprehet Abdullahu.

Strategjia për veriun parasheh kthimin e sundimit të ligjit në veri, krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, pas mbajtjes së zgjedhjeve në gjysmën e këtij viti, zgjedhjet në tri komunat tjera veriore - Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike.

Agron Ibrahimi konsideron se plani për integrimin, paraqet përmirësim të kushteve, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.

“Mendoj se plani i Piter Feithit është i qëlluar. Pra, duhet të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët, si nga serbët, ashtu edhe nga shqiptarët”.

“Pra, duhet të jetë një plan që është për të mirën e të gjithëve; të të dy palëve. Nuk do të ketë enklava, struktura paralele në Kosovë dhe situata do të jetë më e mirë, mendoj një integrim më i mirë”
, thotë Ibrahimi.

Liderët e serbëve të veriut kanë paralajmëruar se do të angazhohen kundër strategjisë me të gjitha mjetet diplomatike, demokratike, përfshirë edhe protestat paqësore.

I pyetur nëse tek ai dhe komuniteti shqiptar ekziston frika, në rast të destabilizimit të situatës, Agron Ibrahimi thotë:

“Normalisht, që ka frikë nga të gjithë në veri. Secili incident që ndodh nga ana e serbëve, ndikon te ne. Sa më pak të ketë protesta e incidente, do të jetë për të mirën tonë. Por, besoj se tash e tutje do ketë ditë më të mira”,
shprehet Ibrahimi.

Megjithatë, mitrovicasi Milosh Nikoliq, i cili thotë se është njoftuar pjesërisht me strategjinë për veriun, konsideron se ende nuk janë arritur kushtet për integrimin e kësaj pjese në institucionet e Kosovës.

“Unë e konsideroj hap të gabuar integrimin e kësaj pjese në institucionet e Kosovës. Pikësëpari, për shkak se unë kam një mosbesim të thellë. Unë e kuptoj se disa gjëra duhet të bisedohen, por situata e sotme nuk është e qartësuar”,
thekson Nikoliq.

Analistët thonë strategjia për integrimin e veriut, është më tepër një plan i veprimit politik, sesa një strategji, pasi që nuk parasheh instrumente për zbatim.

Ndërkohë, Qeveria është duke përgatitur një fond të veçantë për zbatimin e strategjisë. Autoritetet në këtë përpjekje të tyre presin ndihmën e Komisionit Evropian, SHBA-ve dhe shteteve tjera donatore.
XS
SM
MD
LG